Deputeti demokrat, Saimir Korreshi, duke komentuar plagosjen e kryebashkiakut të Divjakës nga një ish-punonjës i tij, u shpreh se ngjarje të tilla nuk i shërbejnë shoqërisë tonë, ndërsa shtoi se qytetarët kanë shfaqur ankesa të vazhdueshme ndaj kryetarit të bashkisë.
Në lidhje “skype” me Fax News, deputeti foli edhe për protestën e opozitës, të cilën e konsideroi të vonuar. Sipas tij, qytetarët duhet të dalin çdo ditë në protestë dhe jo vetëm atëherë kur thirren nga partitë politike.
“Ajo e nesërmja është pak e vonuar. Kjo qeveri ka bërë miliarda zullume. Për fat të keq ne nuk kemi asnjë pushtet, sepse ia lamë vetë. E patë se çfarë lloj gjuhe përdori kryeministri?! Njerëzit duhet të kishin dalë. Të mos presim vetëm partitë politike. Njerëzit duhet të jenë përditë në protestë me çdo gjë, që nuk shkon me këtë vend. Jemi në një gjendje kaotike. Unë jam bashkuar dhe do t’i bashkohem çdo lloj proteste, pavarësisht se nga kush thirret. Unë do të jem përditë në protestë’, tha ai.