Deputeti demokrat, Saimir Korreshi, duke folu për protestën e avokatëve, ai fajëson qeverinë Rama për dështimin e reformës në drejtësi.
Nga foltorja e Kuvendit, ai u shpreh se avokatët po protestojnë për një të drejtë të tyre, për një sistem drejtësie që sipas tij është bërë si “çorape e grisur” që qeveria po mundohet ta arnojë.
“Parlamenti është bërë si han pa porta. Meqë i keni thirrur lavde, ne i dukemi si lëng groshe. Aktorët janë të rinj, reforma në drejtësi e njëjta, janë aktorët e rinj. Avokatët sot janë në protestë për këtë reformën në drejtësi, për mënyrën se si po e konceptoni këtë reformë. Sot kanë qenë në dyert të KLGJ të gjithë avokatët e Shqipërisë. Njerëzit nuk po marrin shërbim. Janë bojkotuar seancat gjyqësore prej gati 1 muaj. Seancat e tjera të masës së sigurisë, patjetër kanë nevojë për përfaqësim. Se ju nuk i dëgjoni. Ju vini këtu dhe i ndani fletë lavdërimi për ta. Si mund të jepet për këtë reformë në drejtësi? Se futët një drejtësi me gogla, një sistem goglash që kemi 6 vite ku asnjë s’po thërret bingo. Reforma në drejtësi dështoi që në hapat e parë. Ju që në fillimet e tuaja keni gabime. I interesoi kryeministrit që të merrte në dorë pushtetin gjyqësor. Prej vitesh gjykata nuk ishte funksionale dhe prej vitesh ka një stok dosjesh, sa qe qeveria po heq dorë nga disa dosje. Ai sistem drejtësie që e bëtë çorape me arna, dhe doni ta qepni me këtë hartë territoriale.”