Publikohen disa dokumenta të panjohura të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, të cilat i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një korrespodencë e ambasadës shqiptare në Romë, me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, ku ambasadori shqiptar, Dashnor Dervishi, informon ministrin Reiz Malile dhe eprorët e tjerë të tij në Tiranë, lidhur me letrën e dërguar pranë asaj përfaqësie diplomatike nga ana e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kryepeshkopit, Angelo Sodano, i cili shprehte dëshirën për të ardhur vetë në Shqipëri, me qëllim për të takuar ish–priftin katolik, Monsinjor Nikolla Troshanin, i cili pasi kishte kaluar vite të tëra në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, në atë kohë punonte në bujqësi në fshatrat e rrethin të Lezhës. Korrespondenca e plotë në mes ambasadës shqiptare në Romë dhe titullarëve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, ku përveç interesimit të madh të shfaqur nga Vatikani për ish–Peshkopin, Nikolla Troshani me të cilin ata kishin humbur çdo lidhje që nga koha e burgosjes së tij dhe nuk dinin nëse ai jetonte ende, si dhe përgëzimet ndaj qeverisë shqiptare për pritjen që i bëri Nënë Terezës, ambasadori Dervishi i bën me dije eprorëve të tij, se dy profesorët e Teologjisë në Universitetin e Romës, Andrea Rikardo dhe Damako në Universitetin e Barit, i kishin thënë se: Vatikani po shfaqte interesim të madh për zhvillimet në Shqipëri dhe veprimtarinë e saj në arenën ndërkombëtare, ku në mënyrë të veçantë Selia e Shenjtë, po shprehte interes për integrimin e Shqipërisë në KSBE dhe po ndërhynte pranë qeverive të Europës Perëndimore, që të mbështesë hyrjen e saj në KSBE, para se të mblidhej konferenca e Helsinkit, etj., e deri tek përpjekjet e ambasadorit shëtitës të Vatikanit në vendet e Europës Lindore, Kolosuono, i cili i kishte konfirmuar se Vatikani kishte përgatitur dyzet peshkopë shqiptarë nga Kosova, në shkollat e Romës dhe po bëhej gati të krijonte dioqezën me qendër në Prishtinë, që do të varej direkt nga Roma.

Nisur nga kalvari i gjatë gati 45-vjeçar i Klerit Katolik në Shqipëri nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, ku me dhjetra klerikë u pushkatuan (me dhe pa gjyq), u burgosën dhe internuan, si dhe ndryshimit të klimës politike në pjesën më të madhe të vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore pas rrëzimit të murit të Berlinit, ku si rezultat edhe Tirana zyrtare në majin e vitit 1990 dekretoi ligjin mbi lirinë e besimeve fetare, Selia e Shenjtë e Vatikanit me në krye Papa Gjon Palin e Dytë, nëpërmjet e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kryepeshkopit, Angelo Sodano, si dhe diplomatëve të saj të akredituara në vende të ndryshme të botës, menjëherë filloi “të lëvizë gurët” që të hynte në bisedime me qeverinë e Tiranës, të cilës fillimisht i kërkonte informacione për ish-priftin katolik, Monsinjor Nikolla Troshani, pasi ata kishin humbur çdo lidhje me të që nga koha e dënimit e burgosjes së tij dhe nuk e dinin nëse ai jetonte ende! Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një sërë dokumentesh arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme ku ndodhet një dosje voluminoze me korrespodencën e ambasadës shqiptare në Romë me eprorët e tij në Tiranë, të cilën Memorie.al e publikon për herë të parë për lexuesit e saj, në disa numra të rubrikës historike dossier.

Korrespodenca e zv / ministrit të Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, me ambasadat shqiptare në Athinë, Gjeneve, Meksikë, Tanzani dhe Argjentinë, lidhur me ftesat e bëra nga ambasada e Vatikanit

DREJTORIA E PARË

I n f o r m a c i o n

Ambasada jonë në Athinë njofton se nuncio i Vatikanit i cili sapo ka paraqitur kredencialet, i ka dërguar ftesë titullarit tonë për të marrë pjesë në festën kombëtare më 5 dhjetor. Ambasada është në pritje të mendimit tonë. Nisur nga proceset e sotme ndërkombëtare, sidomos vendimet e mbledhjes së nivelit të lartë të KSBE-së në Paris si dhe nga vendimet e Pleniumit të 12 për çështjen e fees, mendojmë se edhe mund të merret pjesë në festën kombëtare të Vatikanit.

Tiranë 24 nëntor 1990

SH I F R I M

Nr. 4105 Data: 2.12.1990

Adresa: Ambasadës Athinë (shokut Izedin)

Koncepti: Tuajit 1792

Merr pjesë në pritjen, që jep nuncio i Vatikanit në 5 dhjetor. Po kështu, përgjigju letrës së tij të notifikimit. Për dijeninë tuaj, ambasadat tona në vendet e tjera, nuk do të marrin pjesë në pritjet e nuncëve të Vatikanit.

Sokrati

D Ë SH I F R I M

Nr. 31131 Nga: Athina

Nr. 1863 Data: 8.12.1990

MINISTRISË SË JASHTME

Sipas udhëzimit, vajta në pritjen e Vatikanit ku qëndrova rreth 30 minuta. Pronuncio shprehu hapur gëzimin e tij për pjesëmarrjen dhe kërkoi të bënim një fotografi së bashku. Edhe unë e falenderova për ftesën. Sot nga ambasada e Vatikanit, njoftuan se pronuncio kërkon të më bëjë një vizitë më 13 ose 14 dhjetor.

(vijon)

SH I F R I M

Nr. 4107 Data: 2.12.1990

Adresa: Ambasadave Meksikë, Argjentinë, Tanzani dhe misionit në Gjenevë.

Koncepti: Në rast se do të keni ftesa nga nuncët e Vatikanit, në pritjet e tyre mos shkoni. Për dijeninë tuaj, ambasadori ynë në Athinë do të marrë pjesë në pritjen e nuncit të Vatikanit atje.

Sokrati

SH I F R I M

Nr. 4106 Data: 2.12.1990

Adresa: Gjithë ambasadave e titullarëve (Athinës jo)

Koncepti: Në rast se do të keni ftesa nga nuncët e Vatikanit për të marrë pjesë në pritjet e tyre, ju mos shkoni duke e lënë në heshtje. Për dijeninë tuaj, kemi autorizuar ambasadorin tonë në Athinë, që të shkojë në pritjen e nuncëve të Vatikanit në Greqi.

Sokrati

D Ë SH I F R I M

Nr. 31131 Nga: Athina

Nr. 1863 Data: 8.12.1990

MINISTRISË SË JASHTME

Sipas udhëzimit, vajta në pritjen e Vatikanit ku qëndrova rreth 30 minuta. Pronuncio shprehu hapur gëzimin e tij për pjesëmarrjen dhe kërkoi të bënim një fotografi së bashku. Edhe unë e falenderova për ftesën. Sot nga ambasada e Vatikanit, njoftuan se pronuncio kërkon të më bëjë një vizitë më 13 ose 14 dhjetor.

(vijon)

D E SH I F R I M

Nr.31132 Nga: Athina

Nr.1865 Data: Mbaroi

Lutemi miratimin dhe porositë se ku të përqendrojmë bisedën në se do ta pres. Për dijeni tuaj, nuncio nuk ka asnjë muaj që ka paraqitur kredencialet dhe tani po bën vizitat e njohjes.

Izedini

SH I F R I M

Nr. 41624163

Data: 9.12.1990

Adresa: Ambasadës Athinë, shokut Izedin

Koncepti: tuajit

Prite pronuncion. Dëgjoje çfarë do të thotë. Nëse, propozon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mbaj shënim. Nga ana jote foli për procesin e demokratizimit në Shqipëri, përfshirë qëndrimin tonë ndaj fesë dhe institucioneve fetare, në bazë të fjalimit të shokut Ramiz dhe punimeve të Kuvendit Popullor. Foli dhe për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri.

D Ë SH I F R I M

Nr. 31667 Nga: Athina

Nr. 1904 Data: 15.12.1990

MINISTRISË SË JASHTME

Më bëri vizitë nuncio i Vatikanit. I fola për procesin e demokratizimit në Shqipëri, se po punohet nëpërmjet diversitetit të mendimeve e ideve. Në këtë drejtim ka edhe pengesa sic janë, mungesa e strukturave adekuate, e eksperiencës, etj.

(vijon)

D Ë SH I F R I M

Nr. 31668 Nga: Athina

Nr. 1906 Data: e dyta

Këtu vura në dukje se disa forca si në rastin e Shkodrës, po e pengojnë këtë proces, duke shkatërruar pronën publike si dhe duke ngjallur ndjenjën e urrejtjes brenda kombit. Nuk përjashtohet edhe mundësia e influencave të huaja. Pastaj i fola për fenë, për vizitën e Nënë Terezës, etj.

(vijon)

D Ë SH I F R I M

Nr. 31674 Nga: Athina

Nr. 1906 Data: e treta

Në fund urova që takimi ynë të shërbejë sidoqoftë për në kuptuar më mirë njëri tjetrin. Pronuncio më falenderoi me terma të ngrohta që mora pjesë në pritjen e tyre kombëtare, dhe që i dhashë mundësinë që të bisedonim. Ai tha: “Ne kemi pasur lidhje të vjetra me Shqipërinë dhe do dëshironim të vendosim lidhjet diplomatike”.

(vijon)

D Ë SH I F R I M

Nr. 31675 Nga: Athina

Nr. 1907 Data: e katërta

Ne vendosëm para pak ditësh marrëdhënie me Bullgarinë dhe tani ka mbetur vetëm Shqipëria me të cilën nuk kemi lidhje. Veprimet e të rinjve në Shkodër janë të dënueshme. Ata duhet të kuptojnë që po shkatërrojnë pronën e tyre që e kanë ndërtuar me djersë.

(vijon)

D Ë SH I F R I M

Nr. 31676 Nga: Athina

Nr. 1906 Data: e pesta

Vatikani e ka pritur mirë vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri. Unë e njoh personalisht atë qëkur kam shërbyer në Indi. Ajo, ka shumë influencë në Vatikan, sidomos tek Papa. Kaq influencë të madhe ka saqë e detyroi Papën të pranojë e të ngrejë në Vatikan, një shtëpi kongregacioni të saj.

(vijon)

D Ë SH I F R I M

Nr. 31677 Nga: Athina

Nr. 1909 Data: e gjashta

Kështu që tani atje, mblidhen lloj lloj njerëzish që mblidhen për të ngrënë e për të fjetur. Dhe kjo ka prishur pamjen e selisë, por Papa nuk mund t’i rezistojë kërkesës së Nënë Terezës. Pastaj pronuncio më pyet sesi qëndron problemi i familjes mbretërore shqiptare.

(vijon)

D Ë SH I F R I M

Nr. 31678 Nga: Athina

Nr. 1910 Data: mbaroi

Pasi dëgjoi shpjegimet e mia, ai tha se koha e mbretërve ka kaluar dhe se ata nuk mund të rikthehen e të zëvëndësojnë sistemin republikan. Në fund pronuncio tha se i bëri përshtypje mënyra e civilizuar e shkëmbimit të mendimeve që bënë, dhe shprehu dëshirën të vazhdojmë të mbajmë kontakte.

Izedini

D Ë SH I F R I M

Nr. 31132 Nga: Athina

Nr. 1865 Data: mbaroi

Lutemi miratimin dhe porositë se ku ta përqendrojmë bisedën. Për dijeninë tuaj nuncio nuk ka asnjë muaj që ka paraqitur kredencialet dhe tani po bën vizitat e njohjes.
Izedini /Memorie.al/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here