Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçic diskutuan situatën në Ukrainë dhe në Kosovë gjatë bisedës së tyre telefonike, njoftoi të dielën zyra e shtypit e Kremlinit.
Ndonëse agresioni rus ka hyrë në ditën e 95 dhe trupat ushtarake të Moskës po luftojnë kundër fqinjit të saj Ukrainës, zyrtaret më të lartë rus si Ministri Jashtem Sergey Lavrov dhe vete Presidenti Vladimir Putin në biseda me lidër të ndryshëm Perëndimorë si Presidenti francez Emmanuel Macron, Shefi i OKB Antonio Guterres, pa perfshirë këtu aleatin e tij më të ngushtë europian Presidentin serb Vucic, shteti i pavarur i Kosovës mbetet një lloj obsesioni për Moskën, pavarësisht se ne të gjitha bisedat e konsumuara tema kryesore ka qenë lufta në Ukrainë.
Si njoftimi i shtypit nga Kremlini ashtu edhe komentet e pakta të Vuçiç nuk japin detaje se për çfarë ata kanë diskutuar në lidhje me Kosovën, ndonëse ky i fundit tha të dielën se kishte rënë dakord për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz rus nga kompania shteterore Gazprom, gjatë telefonatës me presidentin Putin.
Zhvillimet më të fundit të luftës në Ukrainë po e bëjnë të qartë se qëllimi i Kremlinit, në pamundësi për të marrë kryeqytetin Kiev, tani është marrja e rajonit lindor të Donbasit dhe jugu i vendit bashkë me gadishullin e Krimeas. Dhe këtu Kosova shërben si krahasim për të justifikuar para botës perëndimore, aneksimin e Gadishullit të Krimes në vitin 2014 dhe shpalljen këtë vit të pavarësisë se republikave separatiste të Luhanskut dhe Donetskut në rajonin e Donbasit. Kështu në një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Moskë, më 26 prill Putin tha se republikat e Donbasit kanë vepruar njësoj si Kosova me shpalljen e pavarësisë.
“Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, citohet te ketë thënë Putini, sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca ruse.
Ka fakte të shumta që tregojnë se krahasimi është i dobet. Pavarësinë e Kosovës e njohin mbi 100 shtete ndër to vende si SHBA, Kanadaja, Franca, Britania e Madhe, Australia, Gjermania, Japonia, Italia etj, përveç Rusisë, asnjë vend tjetër nuk e ka njohur pavarësinë e republikave të Donbasit apo edhe kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoj në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin ndërkombëtar.
Gjithashtu ish kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se është e turpshme të bëhen krahasime midis Krimesë dhe Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar e ka cilësuar aneksimin e Krimesë si cënim të sovranitetit të Ukrainës dhe ka sanksionuar Rusinë për këtë akt. Ngjashëm ka reaguar edhe pas njohjes së pavarësisë së Donjeckut dhe Luhanskut nga shteti rus.
Por sa më të ashpra po bëhen luftimet në jug lindje të Ukrainës dhe forcat ruse aktualisht janë në ofensivë dhe Moska po përpiqet të konsolidojë kontrollin e saj në këto zona, gjë e cila pranohet edhe nga vetë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili këte të djelë ka bërë një dalje të rrallë jashtë Kievit dhe po viziton trupat në rajonin e Kharkivit ku e ka përshkruar situatën si “tmerrësisht të vështirë” për ushtrinë ukrainase, edhe “çështja Kosova” do të vazhdojë të përmendet edhe më shpesh nga Lavrov dhe Putin në ditët në vijim, kjo më tepër për ti shërbyer propagandes ruse për të justifikuar agresionin në Ukraine pasi nga njëra anë nuk e njeh Kosovën në mënyrë kategorike dhe mban flamurin kundër njohjeve të sai.
Ndërkohë që tani e merr si të vetmin model mbi të cilin kërkon të justifikojë një luftë që e kundërshton gjithë bota. Ndaj ose Kosova është në rregull dhe Rusia e Serbia duhet të njohin pavarësinë ose nuk duhet të vendosin paralele mes saj dhe rajoneve të pushtuara në Ukrainë.