Bedri Hamza ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Vendimin ua ka komunikuar këtë të mërkurë anëtarëve të Kryesisë së partisë, duke hapur rrugën për nisjen e një procesi të ri zgjedhor brenda kësaj force politike.
Në një konferencë për mediat, Hamza u shpreh se çdo drejtues duhet të dijë jo vetëm kur është momenti për të marrë përgjegjësi, por edhe kur duhet të largohet nga detyra. Ai theksoi se vendimi për të marrë drejtimin e PDK-së kishte ardhur si rezultat i përgjegjësisë ndaj partisë dhe jo për shkak të ambicieve personale politike.
Sipas Hamzës, gjatë drejtimit të tij, një nga prioritetet kryesore ka qenë ruajtja e unitetit të brendshëm të partisë.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, deklaroi Hamza.
Ai bëri të ditur gjithashtu se kishte pritur që pas 16 shtatorit drejtimi i partisë t’u rikthehej ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodheshin në Hagë.
Megjithatë, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vite burg, nën akuzat për krime lufte.
Hamza theksoi se përpjekjet për të kërkuar drejtësi lidhur me këtë proces do të vijojnë.
