Kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ambicien për të drejtuar Qeverinë e Kosovës, duke deklaruar se synimi i tij është ta shndërrojë vendin në një shtet të zhvilluar, me model Singaporin.
Gjatë inaugurimit të rruge në Prishtinë, Rama u shpreh se Kosova ka potencial të madh zhvillimi, veçanërisht falë rinisë, por sipas tij, për ta shfrytëzuar këtë potencial nevojitet një qeverisje bashkëpunuese.
Ai nuk i kurseu kritikat ndaj Qeverisë Kurti, të cilën e akuzoi se i ka penguar dhe sabotuar projektet gjatë drejtimit të Komunës së Prishtinës.
“Do të ishte më e lehtë nëse s’do të na bllokonin e sabotonin. E me na ndihmu paramendojeni se çka do të bënim. Do të bënim vend fenomenal. Vetëm duhet një qeveri bashkëpunuese e jo sabotuese. Si kryeministër, synojmë që Kosova të jetë si Singapori apo si vendet e zhvilluara sepse kemi rini të mrekullueshme, potencial të mrekullueshëm të zhvillimit”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se vendi ka nevojë për një qasje të orientuar drejt zhvillimit dhe jo për përplasje politike apo akuza për të kaluarën. “Për kryeministër, çka them e bëj”, shtoi ai.
Kryetari i Prishtinës e ka bërë të qartë më herët ambicien për të kaluar në politikën kombëtare. Në tetor, ai deklaroi se synimi i tij i radhës është posti i kryeministrit të Kosovës.
