Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, deklaroi se kryebashkiaku i Kuçovës nuk ndodhet në kushtet e ndalimit për ushtrimin e detyrës, pasi dënimin e formës së prerë e ka shlyer me punë në komunitet.
Sipas Celibashit, kryebashkiaku Kreshnik Hajdari ka paraqitur formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit dhe çështja është shqyrtuar edhe në proces penal.
“Kemi të bëjmë me faktin që ai ka paraqitur formularin e dekriminalizimit. Me nxitje nga Partia Demokratike ka pasur një proces shqyrtimi penal. Ka një vendim penal për këtë çështje, i cili e ka sanksionuar me atë masë dënimi dhe, në fund, ka urdhëruar që ajo masë dënimi të shlyhet me orë pune në komunitet”, u shpreh Celibashi.
Kryebashkiaku i Kuçovës u dënua me vendim të formës së prerë në korrik të vitit 2024. Sipas kreut të KQZ-së, ky fakt nuk sjell ndalimin e ushtrimit të mandatit, pasi dënimi është ekzekutuar në formën e punës në komunitet.
