Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në gjyqin që po mbahet në Hagë, zgjodhi të fliste për veten duke thënë se po e bën këtë “jo për të mbrojtur vetveten nga njollosja që i bëhet në këtë akuzë, por për të ndriçuar atë që i duket e domosdoshme për të kuptuar pafajësinë e tij të plotë”.
Krasniqi tregoi të gjitha rrethanat ku është lindur dhe është rritur ku që në fëmijëri ka qenë i rrethuar me njerëz që i kanë mbijetuar politikës së genocidit të Serbisë. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se ndaj tij janë përdorur tortura çnjerëzore nga hetues serbë dhe është dënuar dy herë. Megjithatë theksoi se asnjëherë përgjegjësit e torturave ndaj tij nuk kanë qenë objekt kritike në shkrimet e tij.
“Ashtu si u përdor dhuna fizike u ushtrua dhunë e tmerrshme edhe ndaj meje. Gjatë dy proceseve hetuese ndaj meje në 1981, 1982 kam përjetuar tmerre që nuk përshkruhen me fjalë. Duart dhe këmbët i kisha të enjtura nga dhembjet. Më dënuan dy herë. Herën e parë në ‘81 më dënuan me 14 vjet burg dhe herën e dytë ’82 me 15 vjet burg. I përmenda torturat ndaj meje për të nënvizuar një fakt të pakontestueshëm, asnjë hetues i ish-Jugosllavisë që ishin përgjegjës për torturat që përjetova nuk ka qenë as objekt kritike në shkrimet e mia. I kam lënë të qetë t’i brejë ndërgjegjja për veprimet e tyre kriminale”, theksoi Krasniqi.
Nga ana tjetër, ai tha se ndaj popullit të Kosovës është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, burgosje, tortura dhe dëbime. Krasniqi u shpreh para trupës gjykuese në Hagë se të gjithë e dinë që ai nuk ka qenë i përfshirë asnjëherë në asnjë ngjarje kriminale.