Gjysma e parë e vitit është mbyllur me një bilanc pozitiv sa i takon nivelit të kredive me probleme në raport me totalin e huave të dhëna nga bankat. Në fund të qershorit, kredia me probleme zbriti në 3.70%, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Në raport me qershorin e vitit 2025, kur kredia me probleme ishte në nivelin 4.01%, rënia është me 0.31 pikë përqindjeje.
KREDITË ME PROBLEME
Qershor 2025: 4.01%
Qershor 2026: 3.70%
Diferenca: -0.31 pikë përqindjeje
Megjithatë, situata ndryshon kur kredia me probleme matet në vlerë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit stoku i kredisë për ekonominë arriti në 992.7 miliardë lekë, ose rreth 9.2 miliardë euro me kursin aktual. Brenda këtij totali, 36.7 miliardë lekë klasifikohen si kredi me probleme.
Një vit më parë, në qershor 2025, stoku i kredisë ishte 893 miliardë lekë, nga të cilat 35.8 miliardë lekë ishin kredi me probleme.
Kjo do të thotë se në harkun e një viti, stoku total i kredisë është rritur me 99.7 miliardë lekë, ndërsa kredia me probleme në vlerë është shtuar me rreth 900 milionë lekë.
Rritja e kredisë së keqe në vlerë tregon se, pavarësisht përmirësimit të raportit ndaj totalit të huave, një pjesë e kredimarrësve vijon të ketë vështirësi në shlyerjen në kohë të detyrimeve.
RAPORTI STOKU I KREDISË – HUAJA ME PROBLEME
Qershor 2025
Stoku i kredisë: 893 miliardë lekë
Kredia me probleme: 35.8 miliardë lekë
Qershor 2026
Stoku i kredisë: 992.7 miliardë lekë
Kredia me probleme: 36.7 miliardë lekë
Diferenca
Stoku i kredisë: +99.7 miliardë lekë
Kredia me probleme: +0.9 miliardë lekë
Megjithatë, pavarësisht rritjes së huasë me probleme në vlerë absolute, bilancet e bankave konsiderohen të qëndrueshme, veçanërisht nëse krahasohen me situatën e një dekade më parë.
Në atë periudhë, kreditë me probleme arrinin deri në rreth 25% të totalit të huave të dhëna nga sistemi bankar. Në qershor 2026, ky tregues është vetëm 3.70%, duke reflektuar një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së portofolit të kredisë.
