Kreu i komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Enver Roshi shpreson që pas 15 marsit të ketë një ulje të shifrave të infektimeve nga COVID-19.
Në një prononcim për tirananews.al ai thotë se situata e pandemisë është serioze duke u shprehur se përqindja e pozitivitetit të numrit të testimeve është diku te 25 për qind.
“Situata e pandemisë është një valë e dytë dhe e tretë është serioze, sepse ka të bëjë se përqindja e pozitivitetit të numrit të testimeve që janë bërë është diku nga 25 në 30%. Kjo ka të bëjë që pandemia ka shtrirë mirë këllqet në Shqipëri. Situata është shumë serioze. Unë mendoj që deri nga fundi i shkurtit, dy javëshet e para të marsit shifrat do të jenë mbi 1 mijë, si të themi piku. Pas 15 marsit të shpresojmë të ketë një ulje të shifrave, të rasteve të reja”, thotë Roshi.
Përsa i përket politikës së vaksinimit, z. Roshi shton se gjithmonë do të jemi të pakënaqur me sasinë e vaksinave, por pozitive është nisja e procesit të vaksinimit.
“Politika e vaksinimit do bërë dhe në krahasim global, do parë situata globale dhe rajonale dhe në Shqipëri. Për mundësinë që ka shteti jonë më duket politikë e mirë. Qeveria ka bërë maksimumin për të siguruar vaksinat. Çdo kush është i lutur për të ndihmuar dhe për të dhënë vaksinën për Shqipërinë. Ne gjithmonë jemi të pakënaqur me sasinë e vaksinave, gjithësesi jem të lumtur që procesi i vaksinimit nisi me mjekët do vazhdojë me të moshuarit dhe më pas me kategoritë e tjera të popullatës”, thotë më tej z. Roshi.
Ndërkohë që komisioni parlamentar i shëndetësisë ka kaluar rrëth 50-60 akte normative që lidhen me masat e mara ndaj pandemisë së COVID-19.
“Roli i Komisionit të Shëndetësisë ka qenë që ne të ndihmojmë qeverinë me miratimin e akteve normative që ti vijmë në ndihmë masave të marra antiCOVID. Kjo ka bërë që Komisioni i Shëndetësisë të kalojë një marrëveshje COVAX që ka të bëjë me blerjen e vaksinave 1 milionë e 140 mijë doza me një shumë prej 4 milionë euro si fillim dhe së dyti marrëveshja e bërë direkt me Pfizer për marrjen e 500 mijë vaksinave që u bënë në muajin janar mesa mbaj mend. Komisioni i Shëndetësisë gjatë kësaj kohe ka kaluar rreth 50-60 akte normative lidhur me masat e mara ndaj pandemisë së COVID-19, për të ulur sa më shumë jo vetëm sëmundshmërinë po për të shpëtuar dhe sa më shumë jetë njerëzish e parandaluar në kohë pandeminë”, shprehet Roshi.
