A ka mes tij dhe ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim një përplasje për kryetarin e ri të SPAK-ut? Kryeministri Edi Rama thotë se kreun e ri nuk e zgjedh ai, apo ambasada, por KLP-ja, si dhe kërkon që të ndalen lajmet e pavërteta.
“Jam plotësisht dakord me @USAmbAlbania dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkruan Rama.
Në mëngjes ishte Yuri Kim që shkroi për këtë çështje. Ambasadorja amerikane dha një mesazh për kreun e ri të SPAK-ut, që të luftojë korrupsionin e krimin pa u frikësuar dhe pa u ndikuar nga favoret. Për të drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit dhe institucionet duhet të jenë të pavarura.
Gazetari Artan Hoxha thotë se ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe kryeminsitri Edi Rama kanë preferenca të ndryshme për kreun e ri të SPAK-ut. Hoxha tha se ambasada amerikane preferon kandidatin Altin Dumani, ndërsa qeveria preferon Edvin Kondilin, ndërsa thekson se beson që në fund do zgjidhet Xholi.
