Gjykata për Krime të Rënda dënoi me burgim të përjetshëm, Fadil Kasemin, i cili ekzekutoi më armë gruan e tij, gjyqtaren Fildeze Hafizi. Gjatë seancës së sotme, mbrojtja pretendoi rrëzimin e akuzës së rrëmbimit, ndërsa pranoi akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje, por kërkoi lehtësimin e masës së dënimit.
Në fund, avokati Ilia Ilia, kërkoi nga gjykata dënimin e Kasemit në një total prej 25 vite burg. Gjatë fjalës së tij, Kasemi tha se ishte penduar dhe se nuk do ta bente vrasjen po të kthehej koha pas.
Ngjarja e rende ndodhi më 31 Gusht të vitit 2017, kohe kur ish-gjyqtarja Hafizi u qëllua me tre plumba nga ish-bashkëshorti, teksa po futej në makinën e saj të parkuar në zonën e Xhamllikut.
DËSHMIA E KASEMIT NË GJYKATË
“Unë jam Fadil Kasemi, i datëlindjes 4 mars 1965. Në vitet ’90-2000 kam qenë emigrant, ku kam punuar për gati 10 vjet. Në vitin 2000 erdha sërish në Shqipëri për të krijuar familje. Në këtë periudhë, nëpërmjet disa miqve të përbashkët jam njohur me të ndjerën, ku pas disa takimeve u fejuam.
Familja e së ndjerës ka qenë në gjendje ekonomike jo të mirë dhe bëmë fejesë të përbashkët. Më pas u martuam dhe pas saj kam ndërhyrë që të niste punë si edukatore kopshti, pasi ajo kishte studiuar në Shkodër në Ciklin e Ulët.
Pas disa viteve punë si edukatore më kërkoi që të bëhej drejtoreshë dhe ia kam plotësuar dëshirën, që nëpërmjet miqësive dhe mundësive ekonomike që kisha, ta bëja drejtoreshë në Kopshtin Nr. 24 në kryeqytet.
Më pas, e ndjera më kërkoi që të kishte prindërit afër me pretendimin se ishin vetëm. Pa hezitim ia plotësova dëshirën, duke i marrë një shtëpi me qira dhe me shpenzimet e mia ua mobilova banesën. Qiranë e shtëpisë e kam paguar gjithmonë unë. Dua të shtoj se gjatë kohës kur ka punuar në kopsht, ajo nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi, duke i mbajtur të gjitha për përdorim vetjak.
Paguante vetëm 100 euro në muaj në bankë për fëmijët”, ka rrëfyer Kasemi. Më tej, ai ka treguar se për shkak se nga ekonomia ishte mirë sepse merrej me tregti, e ka ndihmuar dhe ka kontribuar financiarisht për Fildez Hafizin, për ta shkolluar në degën e Juridikut. “Pasi e bëra drejtoreshë në kopsht, më kërkoi për të vazhduar si shkollë të dytë Juridikun. E pranova, duke e regjistruar në një universitet privat. Pasi mbaroi shkollën më kërkoi që ta regjistroja për Magjistraturë dhe ta fitonte konkursin, gjë e cila ndodhi, duke e financuar edhe pse jo në një mënyrë të ndershme.
Deri para Magjistraturës marrëdhëniet tona kanë qenë shumë të mira. Më pas filloi të më thoshte shprehje që nuk i kuptoja. Më mbyllte telefonin, më thoshte se nuk i doja fëmijët. Një ditë pashë vjehrrën që mblidhte fotot e fëmijëve dhe Fildezit dhe më ka bërë përshtypje. Bënim nga një muaj pushime dhe së bashku me prindërit e saj, që i kisha me vete. U kam paguar qiranë për 15 vite dhe asnjëherë s’jam interesuar sa e ka pasur gruaja ime rrogën.
Më 13 shkurt 2015 i kam thënë Fildezes se ku do shkojmë për 14 shkurtin të festojmë. Më tha që do dal me një shoqe se më ka blerë një shall. Unë nuk e kuptova këtë gjë dhe madje i fola rëndë, i thashë mos është lesbike shoqja? Nuk kemi debatuar deri sa po afronte ditëlindja ime më 4 mars, ku ajo më tha se do të largohej te babai dhe se kështu nuk shtyhej. Ajo i kishte përgatitur të gjitha, kishte marrë një person dhe po merrte rrobat e saj. Kur jam përballur me të më tha katër shprehje, që dy i kuptova dhe dy jo…”, ka thënë Kasemi dhe më pas ka kërkuar që rrëfimi të vijonte me dyer të mbyllura për shkak të cenimit të privatësisë së të ndjerës.