Është një emër i njohur për Drejtësinë dhe median. Por është edhe një nga ata kriminelë, që pranon se ka bërë vrasje e krime nga më të rëndat, por që ka mbajtur edhe ditar për çfarë bënte në burg, çfarë dinte për grupet kriminale dhe si e përjetonte ai kriminalitetin në zonën e tij, Fier dhe më gjerë.
Quhet Ilirjan Sallku dhe jeta që ai ka kryer, arrestimet dhe burgosjet e shpeshta, e kanë bërë që të njohë e të bëhej pjesë e organizatave kriminale të Fierit. Krimet dhe trafiqet e këtyre i kalojnë kufijtë e vendit, ndërsa sipas Sallkut, vazhdojnë aktivitetin brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Një pjesë e eksponentëve kriminalë që ai përmend në ditar, ndodhen në qeli, të arrestuar nga policia dhe prangosja e tyre vjen fill pas dëshmive të Sallkut. Rrëfimet e tij janë të ngjashme me skenarin e Roberto Saviano, tek seriali “Gomorra”, por në fakt krimet dhe organizatat kriminale janë po aq të përgjakshme dhe të organizuara.
Sallku u arrestua në vitin 2005, për akuzën e tentativës së vrasjes për shtetasen Arta Dhjari, motra e Genci Muhos, ky i fundit i vrarë më parë. Në vitin 2009, katër vjet pas qëndrimit në burg, Ilirjan Sallku vendos të ndryshojë rrjedhën e tij të jetës, duke u penduar për gjithçka. Sot është rreth të 50-ave, që pret të përfundojë dënimin prej 16 vjetësh që i është dhënë për një vrasje, ndërsa rezulton një prej atyre personave me statusin “i penduar”, çka përfiton shumë nga ligji i miratuar kohë më parë për këtë kategori, jo vetëm ai, por edhe familja.
“…Por, unë ju them të gjithë shqiptarëve që kjo ishte dëshira ime. Të dalin të gjithë para ligjit. Në këtë vend të ketë drejtësi njëlloj për të gjithë. Unë di 3 vetë nga Fieri që kanë marrë 39 vjet burg për vjedhjen e një telefoni, ndërsa shumë vrasës që unë kam denoncuar janë jashtë të lirë dhe drejtojnë bizneset e tyre të pista….” shkruhet në një pjesë të ditarit të Sallkut.
Vetë jeta e tij e hedhur në rreshtat e një fletoreje, që e quan “Ditar i krimeve që unë di”, është dëshmia e gjallë e jetës së një krimineli, që e ka nisur aktivitetin me vjedhje të vogla, ka vijuar me grabitje, vrasje, korruptim të prokurorëve e gjyqtarëve, trafik e shitje armësh dhe lëndësh narkotike. Sallku shkruan në ditar se ka dijeni të plotë për vrasje të tjera të pazbardhura, si edhe për ekzekutime, si ajo e vitit 1999 në Fier, për pronësinë e Fabrikës së Tullave të Krapsit, të cilat janë mbyllur nga Prokuroria.
Gjithashtu, zbardhen përplasjet mes gjyqtarëve për t’i marrë kush e kush për vete dhe për të mos i ndarë bashkë 30 milionë liretat që nxorën nga burgu vetë Ilirjan Sallkun, pas arrestimit për vrasjen e Genci Muhos.
Sallku vjen nga një familje të dënuarish politikë, ndërsa i ati është burgosur nga diktatura komuniste. “U rrita pa baba dhe që 10 vjeç, mësuesit kanë abuzuar me mua”, – shkruan për veten Sallku. Në vitin 1997 u ktheva nga Gjermania, në 16 janar të vitit 1997, Shqipërinë e gjeta në trazira. Unë isha antikomunist dhe e doja Partinë Demokratike me shpirt. Mua më dhanë dy kallashë, kur u ndanë në PD-në e Fierit, me qëllim që të mbronim pushtetin”, – është një tjetër dëshmi e Sallkut.
Në vitin 1998 plagoset, dhe sipas të njëjtit rrëfim, duke mbrojtur godinën e PD-së, pas trazirave të 14 shtatorit të vitit 1998. Sipas policisë, Sallku kishte vrarë vëllanë e Arta Dhjarit, Genci Muho dhe donte të vriste dhe të motrën e tij për të mbyllur hetimet. Vetë Sallku pranon vrasjen e Muhos, edhe që kishte fituar pafajësinë për këtë krim pasi kishte paguar për të korruptuar gjykatësit dhe prokurorin, 30 milionë lireta në 14 qershor 1999.
Korruptimi i gjyqtarëve
“Mua personalisht, më 14 qershor të vitit 1999 më dhanë pafajësinë, pasi pagova 20 milionë lireta për gjyqtarë e prokurorë dhe 10 milionë lireta ia dhashë avokatit tim. Pasi pagova 30 milionë liretat dhe mora pafajësinë, pavarësisht qejfmbetjeve në radhët e drejtësisë së Fierit, 6 vjet brodha i lirë pa pasur asnjë lloj problemi. Por, nuk zgjati shumë pafajësia ime dhe 20 ditë para se të martohesha në vitin 2005, më ngritën një akuzë të rremë, sikur unë do të vrisja motrën e viktimës që kisha vrarë vetë, si dhe vajzën e saj 8 vjeçe, me qëllim që të mbuloja gjurmët e vrasjes së të vëllait të saj” – shkruan Sallku.
“Akuza e rreme që u ngrit ndaj meje u mbrojt me pretendimin se unë doja të shfarosja motrën dhe mbesën e viktimës, pasi motra ishte e vetmja dëshmi. Unë betohem dhe deklaroj, duke u thënë të gjithë shqiptarëve dhe banorëve të Fierit, se unë e kam vrarë Genci Muhon dhe se motra e tij nuk di asgjë si ai është vrarë…” – vijon rrëfimet e tij Ilirjan Sallku. / Gazeta SHQIP