Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria e tij po punon intensivisht për të paraqitur një dekret për strehimin, pas rastit të 80-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila u dëbua nga shtëpia e saj dhe u bë simbol i krizës së strehimit në Spanjë.
“Dje, Maricarmen bëri një video dhe i kërkoi qeverisë spanjolle dhe veçanërisht mua të paraqisnim një dekret legjislativ të martën e ardhshme, në mënyrë që të fillojmë të adresojmë emergjencën e strehimit që përjetojnë shumë grupe të cenueshme, të moshuar, por edhe miliona e miliona burra dhe gra spanjollë, të cilët janë gjithashtu të prekur nga kriza e strehimit. Maricarmén, kam një mesazh për ty.
Qeveria po punon intensivisht për të paraqitur dekretin për strehimin të martën e ardhshme. Dhe u kërkoj grupeve parlamentare të bëjnë një përpjekje të fundit në mënyrë që ai të ratifikohet nga parlamenti spanjoll.”, tha Sánchez.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Sánchez kritikoi gjithashtu politikën e ndjekur nga Partia Popullore, e cila kontrollon aktualisht bashkinë dhe rajonin e Madridit.
“Nuk është çështje ideologjie, është çështje njerëzimi”, theksoi ai.
Pamjet e dëbimit të Maricarmen Abascal të mërkurën shkaktuan reagime të shumta në Spanjë dhe rikthyen në vëmendje krizën e strehimit në vend. Qindra protestues dhe aktivistë kanë protestuar në qendër të Madridit, duke denoncuar dëbimin dhe duke kërkuar më shumë të drejta për qiramarrësit.
Në mbledhjen e ardhshme të kabinetit pritet të miratohen masa të njohura si dekreti i Maricarmén, që parashikojnë rinovimin automatik të kontratave të qirasë dhe forcimin e kufizimeve për dëbimet. Megjithatë, miratimi i masave në parlament mbetet i pasigurt, pasi qeveria e Sánchez nuk ka shumicën. Një projektligj i ngjashëm u refuzua në fillim të këtij viti.
