Milani po kalon një krizë në momentin më të papërshtatshëm të sezonit dhe në pak javë ka humbur jo vetëm luftën për titull me kushërinjtë e Interit, por tani rrezikon të mbetet pa Ligën e Kampioneve, pasi sot ka zbritur në vendin e 5 në renditjen e Serisë A. Kuqezinjtë kanë pësuar humbjen e dytë radhazi në kampionat sot, duke marrë një shuplakë të rëndë nga Lacio, e cila e ka mundur me shifrat 3-0 skuadrën e Piolit.
Ndeshja foli për bardhekaltrit që në sekondat e para të saj, pasi Korrea gjeti shpejt golin, kur regjistrohej minuta e dytë e ndeshjes. Një gol që tronditi Milanin i cili rrezikoi disa herë të pësonte edhe të dytin, i cili do të vinte në fillimin e fraksionit të dytë të lojës, kur përsëri Korrea shënoi në portën e kuqezinjve.
Praktikisht goli i dytë mbylli ndeshjen, pasi Milani nuk kishte forcë të reagonte, përkundrazi, pësoi edhe të tretin në fund me Imobilen i cili shënoi në katërkëndorin e Donarumës pas ëëj aksioni me një mbajtje të gjatë topi të bardhekaltërve. Suksesi 3-0 kthen Lacion në luftën për Champions, me 5 pikë diferencë nga Napoli i vendit të tretë dhe me një ndeshje për t’u rikuperuar që mund të shkurtojë edhe më shumë distancën. Ndërsa Milani ndan pozicionin me Napolin e Juventusin, në kuotën e 66 pikëve, por me golavarazhin që e lë aktualisht në vendin e pestë dhe jashtë kthimit në Ligën e Kampioneve
