Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari rrezikon që të shkarkohet nga posti. Kjo pasi në KQZ ka mbërritur vendimi i gjykatës së Janinës, ku Kreshnik Hajdari rezulton të jetë dënuar penalisht në vitin 1999 për akuzën e “Hyrjes në teritorin Grek në mënyrë të paligjshme”. Ai rezulton të jetë i dënuar me 4 muaj burg të konvertuar në gjobë në vlerën e 1500 dhramive nga Gjykata e Janinës.
Vendimi është tashmë në duart e KQZ-së prej disa ditësh dhe të martën në 14 nëntor KQZ do të zhvillojë një seancë diskutimi publike për materialin hetimor të dërguar nga Zyra e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme për socialistin Kreshnik Hajdarin. Në zgjedhjet e 14 majit 2023, Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste fitoi bashkinë e Kuçovës me mbi 600 diferencë ndaj Lefter Maliqit të Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, teksa i treti u rendit Ilirjan Koxhaj i Partisë Demokratike.
Vetë Hajdari, përveçse nuk e ka pranuar të ketë patur dijeni mbi dënimin, e konsideroi çështjen si administrative dhe se nuk e pengonte për të kandiduar dhe zgjedhur në krye të Bashkisë së Kuçovës me argumentin se nuk përbën elementet e deklarimit të detyrueshëm. Por në fakt ndryshe thotë informacioni i ardhur nga Greqia ku theksohet se Hajdari ka qenë i pranishëm në shpalljen e vendimit që përcakonte përveç dënimit edhe dëbimin e menjëhershëm të tij nga Greqia.
Ndërkohë Hajdari rezulton nën hetim edhe nga SPAK për akuzën e “Falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit” por edhe për një kallëzim nga Lefter Maliqi që kandidoi kundër tij në zgjedhje dhe që e akuzon për një sërë shkeljesh para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Kuçovë.
Do të jetë KQZ-ja që do në seancën e diskutimit publik të së martës do të vendosë për materialin hetimor të dërguar nga Zyra e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme për të.