KreuEkonomiKryebashkiaku Imeraj: Me investimin për Rrugën e Arbrit, Dibra do marrë zhvillim...

Kryebashkiaku Imeraj: Me investimin për Rrugën e Arbrit, Dibra do marrë zhvillim në turizëm, bujqësi dhe ekonomi

Dibra ka resurse të jashtëzakonshme turistike, duke nisur me Korabin dhe Lurën si dhe luginën e Drinit si dhe shquhet për bujqësi, pemëtari dhe blegtori. Por me me investimin madhor të qeverisë shqiptare për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, bujqësia, turizmi dhe ekonomia në Dibër do të marrin tjetër impuls zhvillimi.

Kryetari i bashkisë Dibër, Dionis Imeraj në një intervistë për ATSH, foli për investimet që po kryhen në këtë Qark si dhe masat e marra në luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Pavarësisht të gjitha sfidave territoriale, bashkia Dibër, me të gjithë strukturat e saj në të 15-të njësitë, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Drejtorinë e Shëndetit Publik e institucionet e tjera vendore kemi koordinuar e monitoruar në mënyrë efikase të gjithë situatën e fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga virusi COVID-19. Ndërkohë institucioni i bashkisë Dibër po funksionon sipas të gjitha udhëzimeve”, tha Imeraj për ATSH.

Fakti që Bashkia Dibër është pjesë e bashkive të gjelbra, që do të thotë deri më tani nuk kemi asnjë rast të raportuar apo evidentuar me virusin e ri, shprehet Imeraj, tregon efektshmërinë dhe shpejtësinë e masave të marra, bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe ndërgjegjësimin e dibranëve, të cilët i falenderon për korrektesën dhe qytetarinë e treguar gjatë kësaj periudhe për të zbatuar masat.

“Sigurisht që po shkojmë drejt një normaliteti të ri ku përgjegjësia individuale për ruajtjen e distancës fizike e sociale dhe higjienën personale është shumë e rëndësishme për të qëndruar larg virusit COVID-19, ndaj i ftoj qytetarët dibranë që me lehtësimin e ndjeshëm të masave të jemi akoma më shumë vigjilentë”, apeloi kryebashkiaku.

Ai shtoi se “që në krye të herës kur u shfaq dhe rasti i parë me COVID-19 në Shqipëri, si dhe në përputhje me të gjitha vendimet dhe udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë nisëm zbatimin në nivel lokal, fillimisht me ngritjen e Shtabit të Emergjencave, i cili koordinon gjithë këtë proces në bashkinë Dibër”. “Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë dhe autoritetet qendrore menjëherë morëm masa për mbylljen e pikës kufitare të Bllatës, pasi vatra e parë e virusit në Maqedoninë e Veriut, ishte pikërisht në Dibrën e Madhe me të cilën jemi fare pranë dhe kemi shkëmbime ekonomike”, tha më tej ai.

Gjithashtu, Imeraj tha se “në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbyllëm baret, lokalet, restorantet e të gjitha bizneset, me përjashtim të atyre të lejuara. Institucionet në varësi të bashkisë së Dibrës, si kopshte, çerdhe si dhe të gjitha qendrat apo zyrat e ofrimit të shërbimit për qytetarët u mbyllën”.

“Morëm masa të menjëhershme për dezinfektimin e të gjithë institucioneve dhe ambienteve publike në të 15 njësitë administrative. Gjithashtu, për të gjithë banorët e Dibrës, të cilët janë kthyer nga jashtë gjatë kësaj periudhe janë dhënë udhëzimet e detyrueshme për vetëkarantinim. Pranë institucioneve publike, marketeve, supermarketeve, tregjeve, bankave etj., morëm masa për shënjimin e rrathëve të verdhë për të mundësuar kështu ruajtjen e distancës fizike mes qytetarëve. Sensibilizimi i herëpashershëm i komunitetit me të gjithë mjetet tona të komunikimit për rëndësinë e vetizolimit në shtëpi si dhe ruajtjen e distancës fizike sociale. Zbatimi i masave është nën kontroll të vazhdueshëm nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake”, tha Imeraj për ATSH.

Në kuadër të rifillimit të procesit mësimor për maturantët, Imeraj tha se “morëm masa për ridezinfektimin e nëntë shkollave të mesme, sigurimin e kushteve higjieno-sanitatare si dhe vendosjen e elementëve për ruajtjen e distancimit fizik për maturantët e mësuesit të cilët u rikthyen në bankat e shkollës për tu përgatitur për provimet e maturës pas një periudhe pezullimi 2-mujore. Po ashtu, vazhdon ridezinfektimi pranë kopshteve dhe çerdheve të cilët do të jenë gati për tu rihapur më datë 1 qershor”.

Lidhur me ndihmën e ofruar familjeve në nevojë, Imeraj tha për ATSH se “deri më tani kemi trajtuar me pako ushqimore si dhe pako higjienike 2398 familje”.

“Një punë voluminoze është kryer dhe vazhdon në ndihmë të familjeve në nevojë, kryesisht familje pjesë të skemës së ndihmës ekonomike dhe pa asnjë të ardhur tjetër, familje me individë Pak, të moshuarit e vetmuar dhe të tjera familje të evidentuara në varfëri ekstreme. Që në krye të herës kemi evidentuar 1400 familje në nevojë, nga të cilat 1200 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, dhe 200 të tjera, familje të varfra dhe në vështirësi ekonomike për të kapërcyer situatën e vetizolimit”, tha ai për ATSH.

“Deri më tani kemi trajtuar me pako ushqimore si dhe pako higjienike 2398 familje. Nga këto 615 paketa janë mundësuar nga buxheti i emergjencave të bashkisë, 640 pako nga Rezervat e Shtetit dhe pjesa tjetër me donatorë, organizata joqeveritare dhe institucionet e tjera të cilat i kemi patur në krahë në përballimin e kësaj situate. Një pjesë e konsiderueshme e familjeve më vështirësi ekonomike në të gjitha njësitë administrative pa asnjë përjashtim, janë mbështetur për herë të dytë më paketa ushqimore dhe higjienike”, thekson Imeraj.

“Po ashtu, 270 pensionistë  të vetmuar janë asistuar çdo ditë për blerje ushqimesh, medikamentesh, pagesë faturash e një sërë shërbimesh të tjera nga grupet e patronazhimit të ngritura për këtë qëllim në njësitë administrative. Në 15-të njësitë administrative që në fillim u ngritën grupet e punës të kryesuara nga Administratorët e njësive administrative ku në bashkëpunim me administratorët shoqëror, pjesën tjetër të stafit të njësisë përkatëse si dhe kryetarët e fshatrave kanë koordinuar punën derë më derë në terren. Rreth 150 punonjës të administratës, të policisë bashkiake, dhe 143 kryetarë fshatrash janë angazhuar në procesin e shpërndarjes dhe asistimit”, u shpreh ai.

“Ndërkohë 5662 familje përfitues të skemës së ndihmës ekonomike për muajin Mars, si dhe 210 përfitues të 6% për muajin Shkurt, kanë përfituar dyfishimin e masës për muajt Mars, Prill dhe do ta përfitojnë deri në fund të situatës së fatkeqësisë natyrore sipas VKM nr. 254 datë 27.03.2020 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit  me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, ndihmës ekonomike e të pagesës të së ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore, të shpallur si pasojë e COVID-19”, deklaron për ATSH, kryebashkiaku i Dibrës.

Gjithashtu 110 familje aplikues në skemën e ndihmës ekonomike që nga muaji korrik 2019 dhe deri në muajin prill 2020, të cilët nuk kanë përfituar ndihmën ekonomike dhe as nga fondi 6%, deklaron Imeraj, kanë përfituar ndihmë financiare prej 16 000 lekësh sipas vendimit nr. 13 datë 22.04.2020 Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 305 datë 16.04.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e COVID-19.

Duke u ndalur te investimet që po kryhen në bashkinë e Dibrës, Imeraj tha se ”pavarësisht situatës së pandemisë, investimet e parashikuara dhe punët në shërbim të komunitetit vijojnë pa ndërprerje. Një sërë ndërhyrjesh po kryhen në infrastrukturën rrugore, në arsim ku vlen të përmendim ndërtimin nga e para të shkollës 9-vjeçare “Kërçisht i Sipërm” në Maqellarë, e cila do t’iu shërbejë 140 nxënësve të këtij fshati, në bujqësi vijon intensivisht puna për rehabilitimin e rrjetit të kanaleve vaditëse dhe veprave të tjera ujitëse në të gjithë njësitë administrative që sezoni i vaditjes t’i gjejë gati etj”.

“Falë investimit madhor të qeverisë shqiptare, jetësor për dibranët, Rruga e Arbrit, bujqësia, turizmi dhe ekonomia në Dibër do të marrin tjetër impuls zhvillimi”, deklaron kryebashkiaku Imeraj.

Gjithashtu Imeraj tha se bashkia e drejtuar prej tij, u ka ardhur në ndihmë edhe bizneseve duke shtyrë afatin e pagesave të taksave.

“Për të mbështetur biznesin e vogël, i cili është prekur dhe ndikuar nga gjendja e Fatkeqësisë Natyrore (Covid-19) i jemi drejtuar këshillit bashkiak Dibër me një projektvendim, me anë të të cilit kërkuam shtyrjen e afatit të pagesës së taksave deri më 30 qershor. Këshilli bashkiak pas diskutimeve propozoi shtyrjen e këtij afati deri më 30 shtator. Jemi në pritje të konfirmimit nga prefekti i qarkut Dibër. Ndërkohë për bizneset që shfrytëzojnë hapësirën publike, të cilat nuk kanë qenë aktiv gjatë kësaj periudhe, i kemi përjashtuar për 2 muaj nga pagesa e kësaj takse. Kanë përfituar pagën e luftës  sipas paketës së parë 1116 punonjës, ndërsa nga paketa e dytë 1121 përfitues”, deklaron Imeraj për ATSH.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

spot_img