Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një status në Facebook ka dënuar atë që ka ndodhur në KZAZ e Bushatit, duke distancuar partinë që drejton nga incidenti
“Dënojmë me forcë djegien e KZAZ në Bushat. Asnjë mbështetës i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Dënojmë me forcë deklaratën kriminale dhe mashtruese të Ministrit të Brendshëm të inkriminuar gjer në fyt, si pjesë e një skenari të parapërgatitur nga qeveria për të tensionuar në mënyrë të qëllimshme dhe të inskenuar situatën. Së shpejti do i tregojmë me emra e mbiemra këta autorë të këtij provokimi policesk”, thotë Kryemadhi.
Sipas kryetares së LSI është maxhoranca ajo që ka krijuar skenare për të nxitur dhunën teksa i bën thirrje mbështetësve të saj për të mos rënë pren e provokimeve.
“U bëjmë thirrje mbështetësve tanë, qindra mijëra qytetarëve të tjerë tu qëndrojnë larg këtyre provokimeve të fëlliqura dhe që të mos bien pre e këtij skenari dhune të inskenuar nga Edi Rama dhe Sandër Lleshaj. Ne e njohim dhe jemi shumë mirë të informuar për planin kriminal të hartuar nga Edi Rama,personat e ngarkuar me emra të vërteta dhe emrat e rreme, planet operative kohën e fillimit e të mbarimit dhe që ka disa ditë që po tentohet të vihet në jetë por edhe që do të demaskohet shumë rreptë nga ne”, tha ajo.
Sipas Kryemadhit, “LSI dhe e gjithë Opozita e bashkuar do ti mposhtë me fuqinë e pamasë të paqes,masivitetit dhe dashurisë e dhimbjes për vendin që këta kriminelë në qeverisje duan ta shkatërrojnë për interesat e trafiqeve,krimit dhe mafias”.
