Në takim me shtabet e LSI-së në Tiranë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi theksoi dhe një herë se vendimi i djegies së mandateve ishte vendimi i duhur i opozitës.
Kryemadhi u shpreh se ndihet mjaft krenare për të gjitha ata që hoqën dorë nga Kuvendi dhe se pavarësisht veprimit ekstrem, kanë bërë gjënë e duhur.
“Të gjithë ata që nuk pranuan të jenë pjesë e parlamentit të krimit janë krenaria e Kryemadhit dhe LSI-së. Ne jemi të bindur që ju keni bërë veprimin e duhur, ndonëse është veprim ekstrem“, u shpreh Kryemadhi.
Më tej Kryemadhi ka ftuar edhe qytetarët që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar të 16 marsit, për të cilën u shpreh se do të jetë protesta më e madhe që ka parë vendi që pas rrëzimit të bustit.
“Në protestën e ditës së shtunë do të dali i gjithë populli. Do dali sepse kjo është qeveria që vjedh popullin. I vjedh se i thotë mbylle gojën se të kam blerë votën, mbylle gojën se do të kërcënoj me krimin. Populli do dali në shesh jo për të kërcënuar, por të treguar që është i lirë.
Ju lutem që secili nga ju të mendojë për veten për fëmijët e tij. Data 16 mars ka nevojë të tregohet se e gjithë Shqipëria është aty. Ai njeri zemrën e shqiptarëve nuk e ndalon dot dhe këmbët e shqiptarëve nuk i ndalon dot sepse do ecim për të rrëzuar jo individin, por institucionin që instaloi me paratë e krimit. Prandaj data 16 është shumë e rëndësishme.
Ne do të luftojmë për shtëpinë tonë, për të ardhmen tonë. Nuk na frikëson as vdekja jo më një shëmtirë e shëmtuar e vdekjes fiktive. 16 marsi është dita e ringjalljes së shpresave. Shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, që do ndërtojnë sistemin e barabartë të institucioneve dhe atë që ne kemi kërkuar, lirinë e mirfilltë. Ftojini qytetarët të jenë në protestë sepse do të jetë një protestë shumë e bukur do jetë një nga protestat më të forta që ka parë Shqipëri e tranzicionit pas rrëzimit të bustit”, u shpreh Kryemadhi.