Ndonëse opozita deklaron se nuk do të futet në zgjedhjet vendore që do të mbahen në 30 qershor, si PD dhe LSI vijojnë takimet. Ndonëse zyrtarisht të dyja partitë deklarojnë se këto takime janë për të përgatitur strukturat për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe për organizimin e protestave, duket se ato janë dhe masa në rast se do të vendoset futja në zgjedhjet vendore.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një takim me strukturat në qytetin e Tepelenës, shoqëruar nga ish-deputeti Vangjel Tavo bëri thirrje për ndezjen e motorëve, pasi sipas saj zgjedhjet e parakohshme janë shumë afër.
Më tej Kryemadhi shtoi se gjendja ekonomike e vendit është e mjerë dhe duhet të ndalohet eksodi i shqiptarëve.
“Zgjedhjet e parakohshme janë afër. Ndizni motorët. Gjendja ekonomike e vendit është e mjerë. Taksat rriten ndërkohë që të ardhurat për familjen shqiptare ulen. Duhet të ndalojmë eksodin e shqiptarëve. Rinia duhet të gjenerojë energji në Shqipëri, jo të marrë rrugët e emigrimit. Duhet të punojmë që shqiptarët ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Papunësia ka ardhur për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit qeveritar. LSI është partia e fjalës së mbajtur, forcën reale e ka tek njerëzit, jo tek emrat e përveçëm”,- u shpreh Kryemadhi.
