Pasi partia e FIDESZ fitoi për herë të pestë zgjedhjet parlamentare në Hungari, kryeministri Viktor Orban i është drejtuar me një letër Sali Berishës, të cilin e falenderon për urimet.
Në letër, ai shkruan se vlerëson miqësinë e hapur dhe të sinqertë që Berisha ka treguar kundrejt Hungarisë dhe popullit hungarez prej shumë vitesh.
Duke i uruar shumë sukses në detyrat e tij, Orban shprehet se siguron që mbetet i angazhuar për të zhvilluar marrëdhëniet shqiptaro-hungareze në të ardhmen.
Letra:
I dashur Zoti President,
Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time për urimet tuaja pas fitores sonë në zgjedhjet parlamentare në Hungari.
Jam krenar që qytetarët hungarezë kanë shprehur besimin e tyre në një qeverisje të pavarur bazuar mbi vlera kombëtare dhe na kanë nderuar me besimin e tyre për të pestën herë tashmë. Besoj që ky mandat i fortë nuk është vetëm një garanci për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik të Hungarisë, por është gjithashtu një qëndrim kurajoz për paqen dhe sigurinë e vendit tonë.
Ishte një nder t’ju prisnim në Budapest në vitin 2014 dhe të shkëmbenim pikëpamje mbi çështje që përcaktuan fatin e vendeve tona. E vlerësoj vërtetë miqësinë e hapur dhe të sinqertë që ju keni treguar kundrejt Hungarisë dhe popullit hungarez prej shumë vitesh tashmë. Ju siguroj që do të mbetemi të angazhuar të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta kristiano-konservatore dhe të zhvillojmë gjithashtu marrëdhëniet shqiptaro-hungareze në të ardhmen.
Ju uroj shëndet dhe shumë sukses në detyrat tuaja me përgjegjësi të larta.
I juaji me sinqeritet,
Viktor Orban