Kryeministri i Moldavisë, Alexandru Munteanu, ka njoftuar të premten dorëheqjen nga detyra, më pak se një vit pasi ishte betuar për të udhëhequr qeverinë pro-perëndimore të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Munteanu nuk dha një arsye të qartë për largimin e tij, i cili vjen pas një periudhe të tensionuar politike dhe zgjedhore në vend, e konsideruar gjerësisht si një përballje mes orientimit drejt Lindjes dhe Perëndimit, shkruan Associated Press.
“Sot i jap fund mandatit tim si kryeministër. Në momentin që e kuptoj se nuk mund ta ushtroj më mandatin tim në përputhje me parimet dhe bindjet e mia, zgjedh të largohem”, u shpreh Munteanu në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
Ai shtoi se kishte pranuar detyrën me “shumë përgjegjësi dhe bindje të fortë” për të sjellë ndryshim në vend.
Pas dorëheqjes, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, e falënderoi Munteanun për udhëheqjen gjatë një “periudhe komplekse” për vendin, duke theksuar njëkohësisht pritshmëritë për “më shumë përfshirje në vendime të ndërlikuara dhe më shumë hapje për të dëgjuar qytetarët”.
