Ndërtimi i Teatrit të ri do nisë në vjeshtë. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama sonte duke sqaruar se tre muaj do i mjaftojnë Bashkisë së Tiranës për të detajuar projektin.
“E kemi projekt idenë, do disponohet nga bashkia, e është bashkia që do punojë me arkitektin e në këto muaj do detajohet gjithë projekti. Në shtator-tetor është ideja të jemi në kantier, pra besoj se në vjeshtë”.
I pyetur a do vazhdojë qeveria me shembjen e të tjera godinave si për shembull Pallatin e Kulturës, Rama u shpreh:
“Ne kemi bërë planin e qendrës së Tiranës në vitin 2003 dhe në atë konkurs s’kishte absolutisht, s’ka asnjë ekspert ndërkombëtar të nivelit të lartë, që ka vënë në diskutim nevojën për të shembur godina e sheshe, sheshi është mozaik formash e produktesh të kohërave politike të Shqipërisë, është ditar i dashurisë politike të qeverive apo pushteteve shqiptare pas pavarësisë, dhe që nga vetë bulevardi e banka, pallati kulturës, muzeu, 15 katëshi, është historia, ndërkohë po u them as një arkitekt i njohur nuk kam parë ti lëvizë një qerpik kur ka thënë se kjo godinë nuk mund dot ti qëndrojë kohës, as nga pikëpamja strukturore e as nga pikëpamja e vlerave që ka as nga nevoja për të funksionuar si teatër”, tha Rama në “PRESSING”.
