Kryeministri Rama është nisur papritur pasditen e sotme drejt Turqisë. Nuk dihet arsyeja e këtij udhëtimi të paparalajmëruar të kryeministrit, i cili paradite ka qenë në zonat e rindërtimit, të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Më herët, gjatë ditës sot mediat greke kanë zbuluar se kryeministri Rama do të jetë më datë 15 dhe 16 shtator në Athinë, atje ku do të takohet me homologun Kyriakos Mitsotakis. Mediat greke konfirmuan prezencën e Ramës në Athinë, në Grand Resort Lagonissi, ndërsa mendohet se prioritet do të jetë çështja e detit, e cila ka shkaktuar debat në Shqipëri dhe Greqi.
Rama do të shkojë në datë 15 shtator në takim me kryeministrin Mitsotakis në cilësinë e kreut të OSBE, kurse më datë 16 shtator pasdite do kthehet në Tiranë. Në takim veç Ramës e Mitsotakis do të jenë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të politikës greke, mes tyre dhe ministri i Jashtëm Nikos Dendias.