Pas vendimit të Kryesisë për të bërë një hap pas dhe për të thirrur më 20 qershor Këshillin Kombëtar, ka reaguar në ‘News24’ Gazment Bardhi. Ai shprehet se e mbështet vendimin dhe shton se pa vendim të Këshillit Kombëtar, nuk mund të ketë proçes zgjedhor.
Bardhi thotë se shumë shpejt do të nisë njoftimin përkatës për vendin dhe datën e mbledhjes, si dhe organizimin e saj.
“Mbështes plotësisht vendimin e Kryesisë së Partisë për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke ju rikthyer rrugës statutore për hapjen e zgjedhjeve për Kryetar. Pa vendim të Këshillit Kombëtar nuk mund të ketë proçes zgjedhor.
Rikthimi në proçesin statutor është një lajm i mirë. Menjëherë do të nis njoftimin përkatës për vendin dhe datën e mbledhjes, si dhe organizimin mbledhjes, sapo të depozitohen vendimet përkatëse mbi rendin e ditës, sipas Rregullores së brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të PD”, tha Bardhi.