Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i është kundërpërgjigjur “talljes” që kryeministri shqiptar Edi Rama i bëri homologut të tij nga Kosova, Ramush Haradinajt
Sipas Gjinit, kryeministri shqiptar ka lobuar publikisht për skenarin e ndarjes së Kosovës.
“Edi Rama jo vetëm që ka hyrë në valle të ndarjes së Kosovës por edhe krejt publikisht ka lobuar për një skenar të tillë që nga vera e vitit të kaluar. Tani, kur ky ‘projekt’ antishqiptar është pothuajse i vdekur, Rama po provon t’i bëjë dy punë krejt palidhje; provon që në të njëjtën kohë ta shpëtojë projektin pothuajse të vdekur, si dhe të shfajësohet për nisjen e tij. Po në të njëjtën kohë, skuqet sysh kur dikush ia thotë të vërtetën. Mbreti është cullak”, ka shkruar Gjini në një postim në Facebook.
Gjini thotë se Rama gabon nëse mendon se ka blerë mbështetjen e shqiptarëve fjalinë e thënë në Beograd (Kosova është e pavarur) , fjali që sipas tij është thënë në marrëveshje me mikun e tij Aleksandër.
“Rama, je vetëm një politikan skajshëm oportunist. Nuk je fare mbret, je krejt cullak. Dhe kur flet për ndarje të Kosovës, po gënjen sa je i madh ti vet. Dhe je goxha i madh, nja njëqind kile mish. Edhe nëse bota kthehet mbrapsht, Ramush Haradinaj do të mbetet hero, edhe i luftës edhe i pasluftës. Ndërsa ti, një dikush që ka dashur të bëhet mbret por ka mbetur cullak. Tani gjeje vet se kush janë gomarët, gënjeshtarët e psikopatët”, shtoi ai.
