Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi caktoi vendet e numërimit të votave për zgjedhjet e datës 11 maj 2025. Sipas vendimit të KQZ, VNV janë përgjithësisht salla me përmasa të mëdha ose palestra sportive, plotësojnë kriterin teknik të sipërfaqes bazuar në numrin e QV-ve të ZAZ-së.
VNV janë përgjithësisht brenda territorit të ZAZ-ve, ofrojnë lehtësi logjistike të transportit rrugor nga QV-të e ZAZ-së, ofrojnë kushte për aplikimin e teknologjisë mbështetëse për numërimin e votave si dhe kanë sistem të pandërprerë të furnizimit me energji elektrike.
Në zgjedhjet për Kuvend do të jenë 93 VNV. U miratuan disa shtesa në vendimin “Për caktimin e vendndodhjes së disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”.
Shtesat konsistuan në miratimin e 230 qendrave të votimit në ambiente private në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. Komisioneri miratoi Procedurën Standarde të Operimit (PSO) për përgatitjen e zarfave me dokumentacionin zgjedhor për votuesit nga jashtë.
Procedura Standarde e Operimit ka për qëllim detajimin e procedurave standarde teknike të përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor që do t’i dërgohet zgjedhësve nga jashtë.