Ekipi ynë kombëtar po vijon përgatitjet me intensitet të lartë në kuadër të dy sfidave me Turqinë dhe Andorrën. Pasi është njohur me formën e lojtarëve, trajneri Kristian Panuçi ka nisur të mendojë mbi titullarët që do të hedhë në fushë nga minuta e parë në ndeshjen e parë kundër Turqisë, që do të zhvillohet në “Loro Borici”, por edhe mbi skemën që do të përdorë në këtë sfidë.
Italiani dhe stafi i tij janë ende në fillim të përgatitjeve, ndaj edhe nuk kanë krijuar një ide të qartë rreth 11- shes titullare. Aktualisht, stafi teknik është në vëzhgim të grupit, duke kaluar në “sitë” një e nga një të gjithë lojtarët e grumbulluar.
Në seancën e parë, italiani nuk arriti të ndërtonte një formacion, pasi kishte mungesa në grup, ndërsa në seancën e djeshme që rezulton të jetë e dyta, Panuçi nuk ndërtoi skuadër, por provoi lojtarë të ndryshëm në repartet respektive.
SKEMA – Trajneri Panuçi dhe ndihmësit e tij ende nuk kanë vendosur se si do të rreshtohen në përballjen e së premtes kundër Turqisë. Italiani ka dy teza: E para që konsiston në skemën dhe rreshtimin 4-5-1 dhe e dyta 4-3-3.
Pavarësisht se në pamje të parë duket sikur janë rreshtime të ndryshme, në fushën e lojës të dyja këto rreshtime janë thuajse identike, me përjashtimin kur thuhet 4-3-3, dy sulmuesit e krahut përkatësisht Greza dhe Uzuni duhet të jenë më afër Sadikut, i cili ditën e sotme alarmoi trajnerin Panuçi duke lënë stërvitjen në mes. Pritet të mësohet shkalla e dëmtimit. Në rast se Sadiku nuk ia del, trajnerit i duhet të mendojë për një alternativë tjetër.
Ndërsa në të kundërt, në rreshtimin 4-5-1, Grezda dhe Uzuni do jenë pak më afër mesfushorëve dhe konsiderohen edhe ata të tillë. Pra, rreshtimi është vetëm çështje metrash për vendosjen e lojtarëve dhe detyrash më specifike për dy anësorët, që sigurisht do të ndryshojë në disa variante gjatë 90 minutave.
FORMACIONI – E ndërsa rreshtimi mbetet vetëm çështje sektorësh në fushën e blertë, i rëndësishëm është fakti se kush do t’i mbulojë këto hapësira në drejtkëndëshin e gjelbër.
Pikë së pari, Panuçi rëndësi të veçantë do t’i kushtojë prapavijës dhe me shumë gjasa do t’i ndërtojë një mbrojtje me elementë të Serisë A, me Gjimshitin dhe Ismajlin në qendër të mbështetur nga Hysaj dhe Aliji nga krahët. Teksa mbrojtja dhe sulmi nuk kanë shumë punë për t’u ndërtuar për shkak edhe të alternativave, mesfusha do bëjë Panuçin me “dhimbje koke”, pasi ka shumë lojtarë për vetëm tri pozicione.
Por ka shumë të ngjarë që, nga çka la edhe të kuptohet nga seanca e djeshme stërvitore, Abrashi do të jetë në fushë, i mbështetur nga krahët nga Memushaj dhe Xhaka. Ndërsa sulmi do të përbëhet nga treshja; Sadiku ose Balaj në majë të repartit të avancuar dhe nga krahët do të mbështesin Uzuni e Grezda. Kjo është situata paraprake në kampin kuqezi, por do të jenë tri seancat pasardhëse ato që do të vendosin se cilët do të zgjedhë për titullarë Kristian Panuçi.
