PEQIN-Një laborator droge është zbuluar nga policia në Peqin. Mësohet se magazina ishte përshtatur për kultivim të cannabisit, me anë të llambave. Sipas një njoftimi të policisë lidhur me ngjarjen është arrestuar pronari i magazinës, si dhe drejtori i OSHEE në Peqin.
Gjithashtu bëhet me dije se janë proceduar penalisht edhe 2 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim të detyrave dhe moskallëzim të krimit. Policia ka sekuestruar materiale, pajisje elektrike dhe sende të tjera që shërbinin për të kultivuar bimët narkotike, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike cannabis.
Pronari i magazinës me inicialet G.K u arrestua për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”. Nga kontrolli në magazinën në pronësi të 37-vjeçarit, në fshatin Fatishe, Policia konstatoi se ky ambient ishte përshtatur për kultivim dhe prodhim të kanabisit, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Drejtor i OSHEE, Peqin, 33-vjeçari me inicialet E.M u arrestua për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasin M. P., 60 vjeç, me detyrë elektricist i OSHEE, Peqin, dhe për shtetasin A. K., 33 vjeç, me detyrë faturist i këtij institucioni.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe për dokumentmin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.