“Idem” ka qenë një nga këngët më të suksesshme në fillimet e Top Fest kur dhe nisi rrugëtimi i këtij eventi të muzikës moderne. E në mendje sigurisht të vjen këngëtarja Gresa Gjocera e cila fitoi dhe edicionin e Pole Position në Top Channel e që për disa vite ishte vokaliste e Top Show. Po të gjithë do të pyesnim ku u “zhduk” Gresa?
Ne kontaktuam me të për të ditur diçka më shumë rreth karrierës artistike të Gresës syëmbël dhe fytyrëqeshur? Nuk është larguar nga muzika, dhe pse nuk u përshtat dot me ndryshimet që pësoi tregu muzikor për të vijuar të jetë prezent në ekrane me këngët e saj. Por Gresa nuk ka ndaluar të kënduarin live, të cilët e vijon edhe sot.
Për të, sot që është më e rritur profesionalisht dhe që “live” mund të themi e ka si bukë me djathë Gresa mendon të rikthehet në ekran me projekte të reja, ndërkohë që nuk i mungon kurrë mbështetja e bashkëshortit të saj perkusionist, Ergys Halili.
Por pas kaq shumë vitesh Gresën e ëmbël e gjejmë me një vogëlushe, ajo është mami e Ersës, apo siç e quan ajo gojëqumështi i saj. Se çfarë ka ndodhur me vajzën e vogël fytyrqeshur të viteve 2000 lexoni intervistën e mëposhtme.
Përshëndetje Gresa, si po kalon? E mësuar me skenën që e vogël, ku kujtojmë që debutimi juaj në skenën e madhe ka qenë në vitin 1993 në Festivalin e Fëmijëve dhe më pas në vitet 2000, dhe më pas një shkëputje nga ekrani. Çfarë ka ndodhur me Gresën në këto vite?
-Përshëndetje, së pari të falenderoj për këtë intervistë kaq të bukur. Nga vitet 2000 dhe deri në viti 2004 u mora thjesht me disa aktivitete të vogla deri sa erdhi momenti i vitit më të rëndësishëm për mua. Ishte qershor i 2004 ku pas 9 muajsh konkurs me emra shumë të degjuar të ekranit tonë tashmë, unë fitova kompeticionin “Poleposition”, të shkollës “Gjithcka Kërcim” të Kozeta Bakiut, me regji të Bojken Lakos.
Sot e kësaj dite rënqethem teksa kujtoj ato emocione. Më pas Top Channel u bë shtëpia ime e dytë kur u lidh një kontratë dy vjeçare si këngëtare e emisionit Top Show. Nëekohesisht u bëra pjesë e grupit Bojken Lako & The Fish.
“Idem” ka qenë mund të themi kënga më e suksesshme e Gresës, në pjesëmarrjen tënde në Top Fest 2. Një këngë që u pëlqye mjaft nga publiku dhe pati mjaft pritshmëri prej teje, pasi fituat edhe spektaklin e talenteve të reja në Top Channel në atë kohë, “Pole Position”. Më pas jeni marrë me muzikën live por patët një tërheqje nga ekrani? Pse?
-E vërtetë! “Idem” ka qenë një ndër këngët më të suksesshme, mbi të gjitha tekstin e asaj kënge e realizova vetë. Më pas u shkëputa nga kompeticionet muzikore por provova një eksperiancë të re dhe shumë të bukur si prezantuese e emisionit “100%Shqip”, njëkohësisht u bëra vokaliste e grupit tim “Fever” me të cilët punova 7 vite ku njoha miqtë e mi më të mirë, atë që formoi këtë grup, kompozitorin dhe pianistin Lambert Jorganxhi dhe bashkëshortin tim Ergysin dhe djemtë shumë të talentuar të grupit.
Ato kanë qenë vite intensive dhe shumë të bukura, live të vërtetë. Njëkohësisht kam punuar dhe si vokaliste 4 vite e një ndër klubeve më të njohura të Tiranës, “Cavaliero”.
Kam marr pjesë në Top Fest 5 me një këngë të mrekullueshme të grupit “Produkt 28”, “Histori Dimri”. Më pas me grupin tim asaj kohe Fever-Me fal dhe në Këngën Magjike po në ate vit Fever-Pse ike.
Duke mos harruar shumë e shumë aktivitete si Musicale të ndryshme ndër të cilet nuk mund të lë pa përmendur “Moulin Rouge” dhe eksperiencën si asistente dhe organizatore e emisionit të mbrëmjes”Vonë në Tv” të Genci Fugës. Prej 8 vitesh punoj live me kolegun tim, pianistin Alban Xhomaqi.
Duke qendruar dhe pak tek ato vite, në Top Fest 2 keni thënë që pas dhjetë vitesh e shihni veten në recitalin më të madh në emrin tënd. Kanë kaluar më shuëm se dhjetë vite në fakt, a do e shohim një recital të Gresës?
-Ajo ka qenë dhe mbetet ëndrra ime. Por tregu ndryshoi në atë kohë dhe unë për asye të ndryshme nuk iu përshtata dot. Por muzikën live nuk e lashë as edhe një ditë të vetme sot e kësaj dite që flasim.
Keni ndonjë projekt muzikor, apo dhe televiziv, që do ju rikthejë në ekranet shqiptare?
-Për këtë gjë po mendoj, për një rikthim të mundshëm me një këngë por jan plane për të cila po punojmë bashkë me bashkëshortin tim.
Ju jeni tashmë nënë e një vajze, Ersës? Na tregoni pak për të dhe familjen tuaj. A është e lidhur Ersa me muzikën?
-Teksa ma bëre këtë pyetje me qeshi shpirti. Ajo është mrekullia e dashurisë tonë si çdo fëmijë për prindin. Ersa ka qenë një fëmijë i mbarë i urtë që në barkun tim e deri tani që ajo është 3 vjeçe. Ajo është gojëqumshti mamit(qesh).
Ersa është shumë e lidhur me muzikën kjo për shkak se muzika në familjen tonë nuk mungon asnjëherë dhe që tani ajo ka përzgjedhje muzikore shumë të mira. Por ne kurrë nuk do të ndërhyjmë në këtë aspekt. Bashkëshorti im Ergysi që është perkusionist luan shpesh me Ersën në bateri dhe asaj i pëlqen shumë. Me pak fjalë muzika live nuk mungon as në shtëpinë tonë (qesh).
Dhe pyetja e fundit, një mendim tuajin për muzikën aktuale shqiptare (tekstet, videklipet) duke qenë se në kohën kur keni performuar në skenë nuk kanë qenë këto tendencat e sotme.
-Mendoj se me kaq artistë të mirë që Shqipëria ka, muzika dhe arti i mirë në Shqipëri ka filluar të ndryshojë krizën që pësoi muzika këto vite./ tirananews.al