Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë zbardhur vendimin e plotë unifikues, i cili sjell një ndryshim të rëndësishëm në kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal në Shqipëri.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë ka ndryshuar pjesërisht praktikën gjyqësore të vitit 2011, duke vendosur standarde të reja që synojnë mbrojtjen e lirisë individuale dhe kufizimin e përdorimit automatik të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Praktika e re gjyqësore mbështetet në tre parime kryesore, të cilat gjykatat do të jenë të detyruara t’i zbatojnë në çdo rast gjatë shqyrtimit të kërkesave për masa sigurimi.
Vendimi unifikues u mor gjatë shqyrtimit të çështjes së shtetasit Begtash Zeneli, në banesën e të cilit gjatë një kontrolli u sekuestruan 7 kilogramë e 350 gramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Edhe pse Prokuroria kërkoi caktimin e masës “arrest në burg”, Gjykata e Apelit vendosi masën “arrest në shtëpi”, duke marrë në konsideratë moshën 63-vjeçare të Zenelit, rehabilitimin e tij ligjor dhe gjendjen e rëndë shëndetësore të bashkëshortes.
Pas shqyrtimit të rekursit të Prokurorisë, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit. Në arsyetimin e saj, ajo vlerësoi se rrezikshmëria e veprës penale, edhe kur është e lartë, nuk mund të mbizotërojë automatikisht mbi rrethanat konkrete të personit nën hetim, nëse nuk provohet ekzistenca e një rreziku real për largim, pengim të hetimeve apo përsëritje të veprës penale.
Gjykata e Lartë thekson se ky ndryshim i praktikës synon të harmonizojë jurisprudencën shqiptare me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Sipas vendimit, masa e “arrestit në burg” duhet të konsiderohet gjithmonë si zgjidhja e fundit (ultima ratio), ndërsa parimi bazë duhet të mbetet favorizimi i lirisë personale.
Vendimi unifikues është dërguar për botim në Fletoren Zyrtare dhe pritet të ketë ndikim të menjëhershëm në praktikën gjyqësore, duke vendosur një standard më të lartë arsyetimi për çdo vendim që kufizon lirinë e individit.
