Kriptovalutat janë në rënie të lirë. Ka qenë multimiliarderi amerikan Elon Musk pak ditë më herët që solli një rënie të BitCoinit duke thënë se kompania e tij nuk pranon më blerje me monedhë elektronike.
Këtë javë edhe gjiganti aziatik, vetë shteti kinez, ka njoftuar se janë ndaluar të gjitha institucionet dhe kompanitë të ofrojnë shërbime të kriptomonedhave për klientët.
Shefi i Rezervës Federale Amerikane Jerome Powell foli gjithashtu për kriptovalutat këtë të enjte, duke thënë se ato paraqesin rreziqe për stabilitetin financiar dhe duke folur për rregulla më të forta për monedhat elektronike.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Thesarit, nënvizoi shqetësimet se shumë individë të pasur mund ta përdorin këtë sektor financiar kryesisht të parregulluar për të shmangur taksat.
Rënia brenda pak ditësh me 30 % e monedhës Bitcoin pas reagimit që pati multimiljarderi amerikan Tesla dhe qeveria kineze, ka shtuar zërat ndër ekspertë për paqëndrueshmërinë e thellë të këtij sektori financiar. BBC raporton për britanikë që kanë humbur kursimet dhe shtëpitë e tyre nga investimi që kishin bërë nëpër kriptovaluta.
Shefi i Rezervës Federale Powell, në një videomesazh foli për mundësitë që jep ky sektor dhe la të hapur tezën se amerikanët mund të kenë një monedhë dixhitale të vetën në të ardhmen. Por se deri më tani, sipas kreut të Rezervës Federale kriptovalutat dhe inovacione të tjera “mund të sjellin rreziqe të mundshme për ata që i përdorin dhe për sistemin më të gjerë financiar”.
Deri më tani kriptovalutatkanë një kapital në tregun ndërkombëtar prej rreth 2 trilionë dollarë.