Kukësi synon që në pjesën e fundit të sezonit, të bëjë sa më pak gabime e të ngjallë edhe një herë shanset që i kanë mbetur për t’u kthyer në zonën e Kupave të Europës nëpërmjet kampionatit. Titulli kampion duket larg, por verilindorët janë të ndërgjegjshëm që duke eliminuar gabimet, në një kampionat ku të gjithë lënë pikë vazhdimisht, gjithçka është e mundur deri në fund.
Përgatitjet kanë vazhduar normalisht edhe gjatë pauzës së kombëtareve, ndonëse për Josën ka qenë paksa më e vështirë për shkak të mungesave të shumë lojtarëve të cilët u janë bashkuar kombëtareve të ndryshme në këto ditë. Shqetësimi në klubin verilindor është pikërisht se nuk ka arritur të ketë ende në dispozicion të gjithë lojtarët që u larguan për të luajtur me fanellën e kombëtareve këto ditë.
Ibraimi dhe Baravykas nuk i janë bashkuar ende skuadrës dhe klubi bëri të ditur se pret që të dy të kthehen në dispozicion të Josës vetëm gjatë ditës së nesërme. Një kthim në skuadër vetëm dy ditë para ndeshjes me Skënderbeun sigurisht nuk është më optimalja, por në klub shpresojnë që eksperienca e të dy lojtarëve të ndihmojë që të jenë shpejt në sinkron me pjesën tjetër të ekipit dhe të jenë në fushë për duelin e të dielës.