Kryesuese e listës së PS për këshillin bashkiak të Tiranës Romina Kuko ka folur sonte në “Opinion” për sondazhet para datës 14 Maj. Ajo u shpreh se sondazhet që nxirren nga platforma të mëdha mediatike, janë shumë të përafërta me të vërtetën. Kuko theksoi se bazuar në përllogaritjet e tyre të brendshme, mazhoranca kryeson në Tiranë.
Romina Kuko: Kjo mesa duket është java e alibive, kaluam te sondazhet. Në Shqipëri ka një treg të konsoliduar për pjesën e sondazheve, ne dimë që janë kompani serioze që zhvillojnë sondazhe. Janë kompani që nuk do rëndonin prestigjin e tyre për të bërë sondazhe që nuk janë afër së vërtetës. Siç ju e thatë sondazhet kanë vite, thuajse një dekadë që kanë një saktësi përsa i përket parashikimit të rezultatit zgjedhor.
-Por nuk janë pranuar kurrë!
Romina Kuko: Dakord, por rezultati ka folur qartë. Duhet të kemi parasysh që ideja e atyre që kontestojnë sondazhin është gjithmonë psikologjia e humbësit. Sepse ai është një sondazh i lirë me një metodologji të përcaktuar, por duhet parë që nëse ne kemi 3 sondazhe të cilat kanë një marzh shumë të përafërt të parashikimit të rezultatit, atëherë duhet të ketë një vërtetësi, ka një kryqëzim të të dhënave që tregojnë se këto sondazhe janë afër së vërtetës.
-Ju mendoni që jeni në avantazh në Tiranë?
Romina Kuko: Patjetër, sigurisht që jemi në avantazh! Ne kemi sondazhet tona të brendshme të cilat konvergojnë dhe me sondazhet që bëhen në këto platforma të mëdha. Sondazhet ju e dini që bëhen me kampione zonash, moshash, bindjesh politike. Ne në përllogaritjet tona të brendshme dhe nga puna që bëjmë në terren në mënyrë kapilare e kemi më të lartë rezultatin e Tiranës. Kemi një rezultat që është më i lartë, por brenda standardit të marzhit tradicional.