Shkëlzen Berisha ka reaguar pas shkrimit të gazetarit Mero Baze, që zbuloi se ai banon në vilën e ndërtuesit të kullës 64 kate që po ngrihet në Tiranë dhe që ka trazuar politikën dhe opinionin publik, kryesisht për faktin se opozita po e kalon në heshtje ndërtimin e kullës më të lartë në Tiranë.
Shkëlzen Berisha, në reagimin e tij e pranon se jeton në banesën e Shtufit, por thotë se ajo është me qira dhe se ka paguar qiranë, por nuk kontrollon punët e qiradhënësit.
Ai përsërit “sfidën” ndaj Ramës që të anullojë lejen e kullës.
Reagimi i Shkëlzen Berishës:
“Shpifja konsumon veten! Kjo u vërtetua edhe këto dite kur shpifja për financim kullash 100 katëshe e resortesh në bregdet u kandis në një qera shtëpie!
Që kur jam kthyer në Shqipëri para 17 vjetësh kam zgjedhur të jetoj gjithmonë me qera! Përgjatë gjithë këtyre viteve, ku kam ndërruar tre herë banesë, njëlloj si shumica e qeramarrësve përveç qerasë nuk kam pasur asnjë mardhënie pune me qeradhënësit!
Përgjegjësia e qeramarrësit është të paguajë qeranë jo të kontrollojë punët, financat dhe bizneset e qeradhënësit.
E njëjta gjë vlen dhe për banesën aktuale dhe pronarin e saj! Përtej tentativës që nga ortak në kullë, më bënë qiraxhi qyls, si Rama dikur të Dash Peza në Pezë e më pas tek Mihal Duri, i siguroj që qeranë e kam deklaruar e paguar me bankë sepse nuk kam patur fatin e Ramës për ta paguar në natyrë apo me klering me leje ndërtimi!
Për financime kullash dhe resortesh shpifësit do kenë mundësi të përballen me shpifjet e tyre në gjykatë! Sa për Ramën që përmes tualeteve të tij mediatike thotë se për kullat që ai dhe Veliaj firmosin si të ishin “shërbëtorët” e mi të bindur, fajin e ka Shkëlzeni, sfida mbetet e hapur, Revoko leje ose haje me “nder”!”, shkruan Shkëlzen Berisha.