Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit ka hapur thirrjet për projekte të kërkimit shkencor në Programet Kombëtare dhe Ndërkombëtare për vitin 2026.
Në aktivitetin e informues ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro si dhe rektorë, dekanë dhe pedagogë të universiteteve në vend.
Kumbaro tha se “Ministria e Arsimit ka vendosur 7 milionë euro si mbështetje për kërkimin shkencor dhe inovacionin, një rritje domethënëse dhe mbështetje konkrete për studiuesit, universitetet dhe kërkuesit shkencorë në Shqipëri”.
Sipas saj, sfida e përbashkët mbetet jo vetëm sigurimi i fondeve, por përdorimi i tyre në mënyrë efikase dhe me rezultate konkrete.
“Ky vit do të jetë një vit reflektimi dhe vlerësimi të thelluar për cilësinë e aplikimeve, frymën e re në projekte dhe mënyrën se si përdoren fondet publike për kërkimin shkencor dhe inovacionin”, tha Kumbaro.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, i cili vlerësoi rëndësinë e këtyre thirrjeve si një instrument thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit të lartë dhe avancimin e dijes shkencore në vend, duke theksuar se investimi në kërkimin shkencor dhe në infrastrukturën akademike përbën një prioritet strategjik për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.
Prof. Dr. Xheladin Draçini u ndal veçanërisht te projekti i fituar për infrastrukturën laboratorike të Departamentit të Farmacisë, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të laboratorëve universitarë, rritjes së kapaciteteve kërkimore dhe përmirësimit të kushteve për zhvillimin e kërkimit shkencor bashkëkohor në fushën e farmacisë.
Ai theksoi se ky projekt jo vetëm që forcon bazën materiale të kërkimit shkencor, por krijon edhe mundësi të reja për bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke kontribuar në afrimin e UMT me standardet evropiane të kërkimit dhe inovacionit.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë mbetet i angazhuar për të vijuar mbështetjen ndaj stafit akademik dhe studiuesve, si dhe për të nxitur pjesëmarrjen aktive në thirrjet konkurruese kombëtare dhe ndërkombëtare.
Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit ka hapur thirrjet për projektet e kërkimit shkencor dhe zhvillimit; projektet e teknologjisë dhe inovacionit dhe projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor duke u dhënë mundësinë të gjitha universiteteve, njësive të kërkimit shkencor dhe kërkuesve shkencorë të vendosin piketat për projektet e ardhshme në programet e tyre.
