Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, (ONM) kërkon shkarkimin e prokurores Mariola Mërtiri, e cila është kunata e Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalles, të dy në kërkim si të përfshirë me aferën e inceneratorëve. Mariola Mërtiri, prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë, është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), por ONM nuk ka qenë dakord me këtë vendim prandaj rekomandon ankimimin.
Në argumentin e dhënë, ONM thotë se ka gjetur kontakte të Mërtirit me një person të dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik narkotikësh. Sipas KPK-së, Mërtiri nuk e kishte deklaruar këtë kontakt. Madje, ky person i dënuar thuhet se i kishte shitur Mërtirit dhe bashkëshortit të saj apartamentin në Fier për 4.5 milionë lekë në vitin 2011.
Ndërkohë, ONM përmend edhe lidhjen e prokurores me Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe Arenc Myrtezanin, dy të parët të shpallur në kërkim dhe i treti i arrestuar në atë që njihet si afera e inceneratorëve. Prokurorja Mariola Mërtiri, kunata e Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalljes, ka mohuar se kishte kontakte të papërshtatshme. Ajo ka deklaruar se njohjet e saj me kunatën kishin qenë të përcipta dhe lidheshin vetëm prej faktit se ajo ishte bashkëjetuese e vëllait të bashkëshortit të saj. Gjithashtu ajo ka mohuar se njihte Klodian Zoton dhe personat e tjerë të përmendur në aferë.