Kupa e Shqipërisë mbylli fazën çerekfinale. Këtë të mërkurë dy biletat e mbetura për në gjysmëfinale i kanë marrë Tirana dhe Vllaznia, që kanë eliminuar Teutën dhe Erzenin.
Në “Elbasan Arena” Tirana eliminoi Teutën nga Kupa e Shqipërisë në një ndeshje dramatike, me 120 minuta lojë dhe 14 penallti. Me duelin e parë që ishte mbyllur 0-0, ndeshja në Elbasan nisi më mirë për miqtë nga Durrësi. Ishte Peposhi nga pika e bardhë e penalltisë që kaloi Teutën në epërsi, teksa Tirana barazoi vetëm në minutën 90+8 me Nikqin.
Pas barazimit 1-1 skuadrat iu drejtuan shtesës prej 30 minutash, teksa edhe në këto minuta nuk u shënua gol. Më pas ishte koha e “ruletës së penalltive”, me Tiranën që fitoi 6-5. Heroi i bardhebluve ishte Leon Kozi, që priti dy penallti.
Vllaznia është gjysmëfinalistja e katërt e Kupës së Shqipërisë. Në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia fitoi 6-1 kundër Erzenit dhe merr një biletë për më tej. Paçka se rezultati 6-1 tregon shumë, shkodranët s’e kanë pasur të lehtë, me ndeshjen që shkoi me shtesë dhe u deshën 120 minuta për të vijuar më tej. Erzeni sfidën e parë e kishte fituar 2-1 dhe Vllaznia u imponua në shtëpi.
Mala dhe Balaj shënuan në pjesën e parë për avantazhini e dyfishtë të Vllaznisë, teksa Atanda la Erzenin me një lojtar më pak. Autogoli i Stojanovic e dërgoi rezultatin në 2-1 dhe ndeshja u drejtua drejt shtesës prej 30 minutash. Vendasit u treguan të papërmbajtshëm dhe shënuan tripletë me Gomes si edhe Balaj. Kështu, me rezultatin 6-1 sot Vllaznia kalon më tej.
Pas Egnatias dhe Kukësit, sot Tirana e Vllaznia sigurojnë biletat e mbetura për në gjysmëfinale, me shortin e lirë që do hidhet javën që vjen për të mësuar dy çiftet.
Kupa e Shqipërisë, faza çerekfinale:
E martë
13:30 Egnatia 3-1 Laçi (1-0)
17:00 Partizani 0-1 Kukësi ‘3-4 me penallti’ (1-0)
E mërkurë
13:30 Tirana 1-1 Teuta ‘6-5 me penallti’ (0-0)
17:00 Vllaznia 6-1 Erzeni (1-2)