Një pandemi si kjo e koronavirusit nuk e kishte menduar askush, por duket se arti e kultura nuk njohin limite duke na ndihmuar të shpjegojmë dhe përballojmë botën që na rrethon. Dhe vetë artisti shqiptar Niku Alex Muçaj shtatorin e shkuar kur krijoi instalacionin artistik “The party is over” (Festa mbaroi!) nuk mund ta mendonte se vepra e tij që përfaqëson një shoqëri globale në krizë do të shprehte më së miri botën ku ne po jetojmë.
Në një intervistë për tirananews.al Niku Alex Muçaj, na rrëfen se instalacioni artistik tematizon shoqërinë globale në krizë duke u nisur nga shumë fusha, por nuk e priste që në harkun e pak javëve të kishim një krizë botërore që ky punim e prezanton fuqishëm.
Në Shqipëri artisti është mjaft i njohur për instalacionin e tij Konverskenë/Convescene realizuar në vitin 2012, i cili trajtonte bunkerët, simbolet e dukshme të komunizmit duke u dhënë atyre funksion tjetër, nga një bunker në skenë. Por për artistin ai punim u shkatërrua si të ishte një ndërtim pa leje, bashkë me godinën e qendrës kulturore, për ti hapur vendin Pallatit të Drejtësisë.
Më poshtë intervista e plotë:
Nik prej vitesh tashmë jetoni në Zvicër, ku dhe keni studiuar dhe ushtroni krijimtarinë tuaj përmes punimeve që i keni paraqitur në evente të ndryshme. Ajo që kemi kuptuar nga punimet tuaja është se përpiqeni të eksploroni strategji artistike në lidhje me hapësirën publike, si në dimensionet fizike dhe ato abstrakte. Këtë gjë më konkretisht e kemi parë në instalacionin “Converscene” në Tirana Ekspres, një projekt transformimi, me bunkerët të tipit “Qendër Zjarri”, në një skenë verore, e cila është njëkohësisht edhe një instalacion artistik. Cili është synimi juaj me këto punime, mesazhi që përcillni.
Konverskenë / Convescene është puna ime e parë që kam realizuar në Shqipëri në vitin 2012. Instalacioni trajtonte bunkerët, këto simbole kaq të dukshme të komunizmit në Shqipëri, duke u dhënë atyre një funksion tjetër, nga bunkeri në skenë. E vendosur në ambientet e Tirana Ekspres tek ish stacioni i trenit kjo skenë verore ishte pozicionuar midis Tiranës urbane dhe asaj rurale, që sot mund ta quajmë Tirana e bashkuar. Ky lloj konteksti më ka ngacmuar gjithmonë.
Por instalacioni u shkatërrua sikur të ishte ndërtim pa leje, bashkë me godinën e qendrës kulturore, për t’i hapur vendin Pallatit të Drejtësisë.
“The party is over” është një nga punimet tuaja më të fundit në Basel, shtatorin e shkuar. Çfarë përfaqëson ky instalacion?
Për këtë punë jam inspiruar më shumë tek një fushë tjetër e interesit tim, ajo e sistemeve sociale. Dhe ky instalacion reflekton një qëndrim timin por dhe shumë të tjerëve në rang global. Që kemi arritur në fundin e një etape të zhvillimit. Dhe para pandemisë, sistemet botërore të sigurisë, të ekonomisë, të informacionit dhe të konsumit, qoftë atij shpirtëror apo material ishin në ndryshim. Gjithashtu, shikohej një “ballkanizim” i shoqërisë botërore dhe kriza mjedisore u be gjithmonë dhe më e prekshme. Mund ta krahasojmë me kompjuterin. Sistemeve njerëzore u ka ardhur koha për një riformatim. Festa mbaroi!
https://streamable.com/dchl98
Një instalacion që më së miri përfaqëson shoqërinë globale në krizë, një punim i realizuar pak kohë para se shfaqej kriza botërore nga pandemia e koronavirusit. A mund të themi në këtë rast se keni bërë një “parashikim të krizës” që ky punim i juaji e prezanton fuqishëm?
Patjetër që në një kohë që ne përjetojmë masivisht distancim dhe izolim social, vepra përjetohet dhe interpretohet në mënyrë tjetër.
Një krizë globale të këtyre përmasave për shoqërinë dhe ekonominë globale mund ta kenë kaluar ndërmend shumë pak njerëz. Kështu që dhe unë nuk mendoja diçka të kësaj natyre dhe intensiteti, jo më të kisha mundësin si artist ta parashikoja.
Por ky rast tregon qartë se, arti, kultura dhe në fund të fundit imagjinata njerëzore nuk njohin limite dhe dashur padashur na ndihmojnë të shpjegojmë, kuptojmë dhe përballojmë botën që na rrethon.
Cilat janë projektet tuaja të ardhshme që mund t’ju kthejnë edhe në Shqipëri?
Bashkë me Elian Stefa kemi hapur një galeri arti në Radhimë, që quhet Galeria e Bregdetit ku po bashkëpunojmë me artistë nga Shqipëria rajoni dhe bota. Por po punojmë gjithashtu për të aktivizuar ishullin e Sazanit nëpërmjet artit, kulturës dhe shkencës, për një publikë më të gjerë./ tirananews.al






