Sot Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, me anë të një verifikimi, ka zbuluar faktin se një “personazh me profil të lartë politik shqiptar” me iniciale I.M rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Disa media aludojnë se bëhet fjalë për Ilir Metën pasi inicialet korrespondojnë, megjithëse nuk ka ende asnjë konfirmim.
Ky fakt ka rinxjerrë në dritë një deklaratë të vjetër të ish deputetit të LSI, Dritan Priftit kur akuzonte Metën si ish bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Deklarata u ribotua në vitin 2015 në faqen e Facebook “Enigma Mistere dhe Lajme”.
“Një spiun komunist, që spiunonte shokët e tij që në universitet. U rekrutua nga pedagogu i tij N.K. A ka fakt më tronditës se ky për njeriun nr.2 të shtetit shqiptar. Ka mundur për 25 vjet ta fsheh këtë të vërtetë, në bashkëpunim me Sali Berishën, i cili ka dosjen e plotë të Ilir Metës, por e ka përdorur atë vetëm për interesat e tij. Ilir Meta më akuzoi mua për fshehje pasurie, sepse një firmë private ku bashkëshortja ime kishte aksione minorance, kishte marrë kredi, kaq para në dy banka greke në Tiranë, dhe unë paskam pas detyrimin ta deklaroj këtë fakt.
Ashtu siç deklarova , këto ditë do të njoftoj partnerët tanë kryesor ndërkombëtar për veprimtarite e fshehta të Ilir Metës brenda dhe jashtë vendit. Do ti tregoj për partnerët e tij me miniera ari, që nga Afrika deri tek pronat nëpër Evropë. Do t’i tregoj dhe ca gjëra për të cilat partnerët tanë ndërkombëtar janë shumë të interesuar, për të kuptuar se si ky njeri ” i korruptuar në mënyrë spektakolare” siç shprehej një ambasador amerikan, i lidhur me mafian më të rrëzikshme në Shqipëri, vazhdon mbijeton në politikë, vazhdon kontrollon me grusht mafiozi institucionet e këtij shteti”, deklaroi Prifti vite më parë.