Kategoria e personave me aftësi të kufizuara vijon të ketë shqetësime në aksesin në shërbime. Krahas kujdesit për nevojat e veçanta një tjetër problem për ta është dhe pajisja me dokumente biometrike.
Karta e identitetit apo pasaporta kësaj kategorie përveç të tjerash u nevojitet dhe për të marrë pagesat e kempit, por ka dhe nga ata të cilët nuk mund të lëvizin për të marrë këtë shërbim. Një rast i tillë është ai i Nikoll Rinës, i cili fatkeqësisht prej dy vitesh për shkak të një sëmundje të rëndë nuk mund të lëviz.

Bashkëshortja e tij, Rudina na tregon kalvarin e vuajtjeve dhe se çdo gjë është dashur ta përballojë vetë. “Bashkëshorti im është sëmurur prej dy vitesh që në nëntor të 2018-tës dhe sëmundja e tij ka filluar nga një apandesit. Plasi apandesiti dhe i shkaktoi pas dy javësh vdekje klinike, trombozë në mushkëri. Aty mjekët e kthyen në jetë. Në Greqi nuk kam paguar asnjë lek. Kur kam ardhur nga Greqia në Shqipëri te Spitali Ushtarak mjekët e panë në gjendje të rëndë, i kanë kryer disa analiza në një pavion që mjeku i ka kryer privatisht me një pagesë prej 700 mijë lekë të vjetra me kursimet e mia. Pas këtyre vizitave dhe analizave u detyrova që ta merrja, nuk më dhanë asnjë lloj shprese dhe trajtimi dhe e çova në Turqi. Çdo gjë e kam bërë vetë në mënyrë private. Letrat e kempit shefi i neurologjisë mi ka plotësuar vetmë për tetraplegjik, akoma statusin që im shoq është i verbër 100 për qind. Jam duke plotësuar dokumentacionet dhe po pres që të marr statusin e të verbrit”, thotë Rudina. Ajo dhe bashkëshorti mbahen vetëm me 275 mijë lekë të vjetra si tetraplegjik dhe pagesën e kujdestarisë për Rudinën.
A mjaftojnë këto të ardhura? Sigurisht që jo, në një kohë që Nikolla ka nevojë për ilaçe e për të cilat nuk ka asnjë lloj lehtësime. “Deri më sot kujdesem vetë, nuk kam arr asnjë lloj ndihme nga shteti kam kërkuar në mëyrë privat karrocë invalidi. Një shoqatë që erdhi më dha disa fisha aspirimi dhe shiringa. Dokumentacionet çdo gjë i kam kryer vetë në zyrat e instituconeve”, thotë ajo.
Një tjetër problem për Nikollën dhe Rudinën ishte pajisja me kartë identiteti. Për fat të keq, kompania ALEAT nuk e ka parashikuar këtë kategori personash të cilët nuk mund të lëvizin dhe znj. Rudina është detyruar të marrë me karrocë bashkëshortin e saj dhe pse nuk mund të qëndronte për të marrë dokumentet e nevojshme për kempin dhe ilaçet.
“Kur shkova në gjendjen civile ata më thanë se duhet ta sjellësh patjetër këtu se nuk kishin mundësi që të vinin në shtëpi dhe pavarësisht se nuk është mirë nga ana mendore, fizike e psikologjike të qëndrojë në karrocë pasi më shumë kohë qëndron në krevat pasi është i paralizuar. Më thoshin që duhet ta sjellësh këtu se s’bën se nuk kemi të drejtë të vijmë në shtëpinë tënde, pavarësisht se u thashë që nuk mund të qëndrojë dot në karrocë. Pas dy javësh aplikim morëm kartën e identitetit”, thotë Rudina duke shtuar se duhet të vinin në shtëpi në gjendjen që ka bashkëshorti i saj.
Rudina thotë më tej se nuk e di që ekziston ligji për diskriminimin dhe ka një institucion ku të ankohet për të drejtat e saj dhe të bashkëshortit Nikolla.
“Jam me shumë halle, jam akoma në vazhdim të dokumentacioneve, nuk kam marrë akoma statusin e të verbrit, që im shoq ka dy vjet dhe për këtë arsye nuk kam mundësi as nga ana fizike të shkoj në zyra dhe institucione ku të drejtohem dhe nuk më kanë orientuar mirë për ligjin për diskriminimin. Te zyra e gjendjes civile thoshin se ne nuk kemi të drejtë të vijmë në shtëpi për këtë kartë identiteti dhe nuk dimë ku të orientohemi tani për këtë ankesë”, thotë Rudina
Më herët këtë shqetësim e ngriti dhe komisioneri për diskriminimin, Robert Gajda. Në një intervistë për tirananews.al, ai tha se në marrëveshjen e firmosur mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë që kryen shërbimin, ALEAT, duhej të ishte parashikuar dhe kjo kategori, duke ofruar shërbimin në shtëpi për ta.
Lexo edhe- Gajda: Gjobitet Ministria e Brendshme, gabimi në marrëveshjen me ALEAT për dokumentet biometrikë
“Ne kemi pasur një ankesë konkrete nga një person me aftësi të kufizuar i cili ishte paraplegjikëm në karrige me rrota dhe që e para njëherë nuk hynte dot në vendin ku duhet të jepte gjurmët e gishtave sepse vendi nuk kishte krijuar aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuar pra nuk kishte as rampa e as ashensor dhe vendi ishte me shkallë dhe ajo që është e lehtë për ne për një person në karrige me rrota është shumë e vështirë për tu bërë. E dyta ishte që edhe mënyra e marrjes së gjurmëve të gishtave në aparaturat që përdorte kompania nuk ishte e përshtatur për persona me aftësi të kufizuar, sepse ka persona që janë me aftësi të kufizuar dhe nuk mund të lëvizin dot gishtat e duarve. Atëherë pajisja do të duhet të jetë e përshtatur dhe për këta persona në mënyrë që të merren gjurmët e gishtave dhe e treta është që shoqëria në fjalë nuk ofron shërbimin në shtëpi për persona që janë të pamundur fizikisht për shkak sëmundjesh të ndryshme që të mund të shkojë të japë gjurmët e gishtave daç për të bërë për herë të parë dokumentet biometrike apo për ta rinovuar atë. Janë vënë re një sërë mangësish në lidhje me ofrimin e këtij shërbimi ku në rastin konkret, palë e cila në këndvështrimin tonë është përgjegjëse është ministria e Brendshme e cila ka bërë kontratën me kompaninë në fjalë, e pastaj e miratuar nga Kuvendi me ligj. Kjo është një rast konkret që ne kemi pasur në lidhje me një shqetësim të tillë. Rastet kur ankimohen edhe ekspozohen. Në rastin konkret na rezulton se ka disa lloje aftësisht të kufizuara të cilat kanë probleme. Për shembull, një rast mund të jetë kur personi nuk i ka të dy duart, si i bëhet? Kjo është më shqetësuese që nuk ofrohet shërbim në shtëpi për një person që nuk mund të lëvizë”, është shprehur z. Gajda. Për këtë Ministria e Brendshme është gjobitur.
