Takimet e fundit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë shtuar pritshmëritë për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Dy liderët u takuan sërish të shtunën në mbrëmje, por pas përfundimit të takimit nuk dhanë detaje dhe nuk bënë deklarata për mediat. Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste se negociatat mes palëve mund të përfundojnë me një rezultat pozitiv.
Sipas mediave në Prishtinë, Haxhiu ka bërë thirrje që një marrëveshje të arrihet sa më shpejt, duke e konsideruar zgjedhjen e presidentit si një proces të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve dhe vijimin e proceseve shtetërore.
Megjithatë, brenda Vetëvendosjes duket se ka ende pikëpyetje sa i përket sigurimit të votave të nevojshme në Kuvend.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se nëse Kurti dhe Abdixhiku bien dakord për një kandidat për president, kreu i LDK-së duhet të garantojë fillimisht mbështetjen e deputetëve të partisë së tij për marrëveshjen në Kuvend.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë kritikuar mënyrën se si po zhvillohen negociatat. PDK-ja ka kërkuar që çështja e zgjedhjes së presidentit të diskutohet dhe të zgjidhet në Kuvend, duke theksuar se janë deputetët ata që kanë kompetencën për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Edhe AAK-ja ka shprehur kritika për mungesën e transparencës, duke kërkuar që palët të bëjnë të ditur se çfarë po diskutohet në takimet e mbyllura dhe çfarë përfitimi konkret do të kenë qytetarët nga këto negociata.
