Qeveria e formuar nga Lëvizja Vetëvendosja nuk do ta heqë taksën 100% ndaj mallrave serbë. Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti tha për emisionin “360 gradë” me Artur Zhejin në RTV Ora se taksa do të hiqet vetëm kur të vendoset reciprociteti i plotë politike, ekonomik e tregtar.
Ai deklaroi se edhe pse është miratuar në Kuvend që në vitin 2011 asnjë qeveri nuk e zbatuar rezolutën për reciprocitetin, duke premtuar se qeveria e formuar prej tij do të jetë e para që do ta zbatojë.
Pjesë nga intervista:
Pra nuk kemi një heqje imediate të taksës 100%?
Kurrë nuk kam thënë ashtu. Ma gjeni ku kam thënë heqje tarife 100%.
Nuk e kam polemikë, dua thjesht e zeza mbi të bardhë ta di si është deklarata juaj dhe njëherë për taksën 100% ndaj mallrave serbe?
Më 7 dhjetor 2011 është miratuar rezoluta në Kuvend, ne kemi qenë në opozitë për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Asnjë qeveri nuk e ka zbatuar këtë rezolutë. Kjo do të jetë qeveria e parë që e zbaton. Pra reciprocitet i plotë me Serbinë.
Ky është premtim, dakord. Tani taksa 100% do të hiqet vetëm nëse do të ketë reciprocitet të plotë me Serbinë. Do të thotë asnjëherë!
Pse asnjëherë?
Po, sepse nuk ka për ta bërë ndonjëherë Vuçiç.
Le ta thotë ai vetë, s’kemi nevojë ta themi ne. Ne vendosim reciprocitetin si parim tonin, njoftojmë faktorët ndërkombëtarë për këtë gjë dhe presim që në Serbi të vlejnë diplomat e Universitetit të Prishtinës, Bujanovac, Preshevë, Medvegj. Presim që në Serbi të pranohet patenta e shoferit të Kosovës, në Serbi të pranohet certifikata e prodhimit të mallit në Kosovë, në Serbi të pranohen targat e automjeteve me Republikën e Kosovës, sepse me të Republikës së Serbisë mund të hyjnë etj.
Presim që Serbia të njohë Kosovën si shteti i pavarur, nuk është kusht ky, se këtë kush kishte dhe Ramushi?
Këtë gjë mund ta kemi, mund të mos e njohim asnjëra dhe ky është reciprocitet në fund të fundit. LVV do ta heqë tarifën 100% ndaj Serbisë duke zëvendësuar me parimin e reciprocitet të plotë politike, ekonomik e tregtar. Ne e zëvendësojmë tarifën me reciprocitetin.