Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e datës 9 nëntor, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për angazhimin e tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti u shpreh se pas këtyre zgjedhjeve, Vetëvendosje do të qeverisë në shtatë komuna, më shumë se në çdo periudhë tjetër më parë, duke theksuar se ky është rezultat i punës dhe besimit të qytetarëve.
“Ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra.
Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore.”, shkruan Kurti.
Të dielën mbi 1 milion e 300 mijë qytetarë iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët në 18 komuna të Kosovës, në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve.
