Mungesa e kryeministrit Albin Kurti në takimin e Tiranës, në kuadër të procesit të Berlinit, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Sjellje fëmijërore dhe politikisht të papërgjegjshëm, e ka vlerësuar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku mospjesëmarrjen e kryeministrit, Albin Kurti në takimin me liderët e Ballkanin Perëndimor të organizuar nga kryeministri, Edi Rama në Tiranë.
“Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në darsëm familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karrshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karrshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”, u shpreh Vlora Çitaku.
Sipas qeverisë së Kosovës, Albin Kurti e kishte njoftuar Edi Ramën që nuk do të marrë pjesë në këtë takim për shkak se e kishte konfirmuar pjesë marrjen ne në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.