Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç do të takohen të enjten në Bruksel, në përballjen e tyre të parë që prej shpërthimit të tensioneve në veriun e vendit, gjatë muajit maj. Kryeministri Edi Rama uron që ky takim të mos jetë “një xhiro boshe” për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Përmes një shkrimi të gjatë, Rama thekson se Shqipëria do të jetë në të njëjtën linjë me SHBA e BE për planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jo sepse aleatët tanë të mëdhenj strategjikë kanë gjithnjë, medoemos, të drejtë, po sepse deri më sot ata nuk kanë qenë asnjëherë gabim në kërkesën e tyre ndaj të dyja vendeve, e së fundmi Kosovës veçanërisht”.
Në vijim të shkrimit të tij, Rama përmend edhe anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në qershor, atëherë kur tensionet në komunat në veri të Kosovës ishin në kulm. Ai shkruan se ishte momenti më i gabuar për të hedhur një valle dyshe shpatash në Prizren.
“Njëqind herë të ktheheshim mbrapsht njëqind herë do ta anulonim, sepse së pari, Shqipëria është një anëtar përgjegjës i komunitetit euroatlantik edhe kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e veta, e jo më kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e Kosovës apo lëre pastaj me ato të të tjerëve. E së dyti, sepse ai ishte momenti më i gabuar për të hedhur një valle dyshe shpatash në Prizren, në ndërkohën kur Kosova duhet të ishte në anën e të ardhmes, krah për krah me aleatët e saj strategjikë, e jo në anën e të shkuarës, prej ku ushqehen edhe teoritë helmuese të konspiracionit shqiptaromadh”.
