Dhuna në familje ka shpërthyer gjatë pandemisë sa kohë kufizimet na mundësuan më tepër orë qëndrimi në banesë dhe për rrjedhojë, më tepër orë pranë të afërmve. Për disa, grindjet e vogla u kthyen në ortek dhune, ku kryesisht më të pambrojturit, rezultuan gratë dhe të moshuarit.
Dy vëllezër u rrahën me njëri tjetrin, pas konfliktit se cili prej tyre duhet ta mbante nënën e moshuar, kurse një grua dhe vjehrri e vjehrra e saj, u rrahën paq nga djali i shtëpisë, pasi ai u kap prej tyre duke vjedhur lodrat.
Të dyja dosjet u vendosën në dispozicion të GazetaSi.al nga policia që pohon se dhuna në familje është rritur me 30% gjatë pandemisë dhe se në vend të parë, qëndrojnë gratë.
Në të njëjtën ditë, shpjegohet në dosjen që GazetaSi.al disponon, kanë dorëzuar kallëzim edhe dy të moshuarit.
“Kur policia erdhi, m’u dhimbs djali dhe ndërhyra kur policia deshi ta merrte. Por pasi policia u largua, djali vazhdoi në të njëjtën mënyrë dhe ndaj u detyrova të njoftoj policinë dhe sapo e bëra këtë gjë, D., doli nga banesa”, – thotë 78-vjeçari për policinë, të cilës i tregoi se nervozizmi i D., 42 vjeç, shkaktohej nga mungesa e parave dhe sepse ai përdor hashash.
Në një lagje tjetër, dy vëllezër nga Kukësi u përleshën pas sherrit të hapur se cili prej tyre duhej të kujdesej për nënën që është në moshë të thyer. Të rinjtë jetojnë në Paskuqan bëri me dije policia për GazetaSi.al, dhe të dy ata do të hetohen për dhunë në familje pasi secili ka kallëzuar tjetrin, teksa e rrahur prej tyre, ka përfunduar edhe e motra e martuar në një lagje tjetër periferike të Tiranës
Vëllai më i madh, thotë në polici se prej vitesh jeton në Itali dhe se për shkaqe emigracioni e kishte të pamundur ta merrte nënën me vete. A.Q., 45 vjeç, kujton se kur u largua, më i vogli N.Q., 38 vjeç, e paralajmëroi, se nëse nuk e merrte nënën, nuk do ta shihte sa të ishte gjallë.
“Kur erdha, shkova për vizitë. Mora edhe motrën me vete që është e martuar në Bathore, Kamëz. Ai, nga inati që nuk e mora nënën, nuk më lejon ta takoj atë. Më ka thënë, nëse e do kaq shumë, mbaje ti. Por nuk e marr dot. Kjo gjë na ka sjellë një konflikt të madh në familje. Unë hyra me dhunë në shtëpi dhe u drejtova për nga dhoma ku rri nëna. Por vëllai më kapi për krahu dhe nuk më lejoi. Më kapi për krahësh dhe më nxori jashtë”, – akuzon 45-vjeçari.
Në këtë moment, mes dy vëllezërve ka ndërhyrë e motra, e cila nga shtyrjet mes dy vëllezërve është rrëzuar për tokë. Por sipas përshkrimeve, kur vëllai i madh e ka ngritur në këmbë dhe i ka thënë që të dilnin, ajo ka tundur kokën dhe ka kërkuar të qëndrojë.
“Unë ika, pasi vëllai i vogël më shtynte derisa dola përjashta. Pas pak metrash, më mori në telefon motra dhe duke qarë më kërkoi ta prisja. U ktheva dhe pashë që vëllai e kishte rrahur dhe atë”, thotë kallëzuesi, i cili veç pretendimit për dhunë, kërkon ndihmën e policisë që të takojë nënën.
