Kush e mori zemrën e Saimir Sulës në Spanjë, dhe pse kufoma në Shqipëri erdhi pa disa organe në trup? Motra e tij, Majlinda Sula e cila prej 2 vitesh nuk rresht së kërkuari drejtësi, këtë të martë së bashku me disa persona të tjerë me pankarta në duar, protestuan para Kryeministrisë. Ajo thotë që kur kanë bërë një autopsi të dytë të vëllait kanë konstatuar dhe mungesën e disa organeve, përveç zemrës.
E motra e Saimirit kërkon që drejtësia shqiptare të mos zvarrisë dosjen dhe të veprojë. Thirrja e saj është që kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja të mos lejojnë që zhinxhiri i drejtësisë të mos heshtë. “Ti shpjegoni nënës së Saimirit se pse nuk erdhi zemra e tij. Pse u nda nga trupi i Saimirit. Na sollën zemër tjetër, pse nuk u bë prova e ADN-së”, tha Majlinda Sula.
Majlinda kërkon llogari se përse autoritetet shqiptare nuk kanë dërguar një letër porosi homologëve të saj spanjoll që marrin zemrën e gjetur te Saimir Sula dhe t’i bëhet testi i ADN-së nëse ajo i përket vërtetë vëllait të saj apo jo.
Saimir Sula vdiq në një spital në Spanjë dy vite më parë, ku kishte shkuar për Covid-19 dhe doli i vdekur dhe pa zemër. Motra thotë se dyshimet kryesore i ka tek mjekët e spitalit në Spanjë, ndërsa përjashton mundësinë që 33-vjeçari të jetë transferuar në ndonjë klinikë tjetër pas vdekjes. “Po më vrasin, po më marrin shpirtin hajde më merr”,-ka thënë ai sipas motrës. “Vëllai im ndërroi jetë nga kokteili i medikamenteve që i bënë”,-akuzon e motra.
Ajo thotë se rasti i Saimirit u arkivua ne qershor, me pretendimin se u gjet zemra. Dokumentet për zemrën janë në prill 2020, por që Saimiri ndërroi jetë në maj. Sipas motrës, familja nuk ka dhënë autorizim për mbajtjen e zemrës. Autopsia dhe konstatimi për mungesën e zemrës u bë në Shqipëri dhe dyshimet për trafik organesh nisën nga Shqipëria. Ndaj e motra thotë se mund të mbyllet si një lojë fëmijësh kjo çështje.
Pjesë nga fjala në protestë
“Sot protestojë zvarritjen e drejtësisë. Zoti Rama, Etilda Gjonaj nisi letërporosi Spanjës, kërkesë për ndihmë juridike, sepse mjekësia ligjore në Shqipëri konstatoi se trupi kishte ardhur pa zemër, Gjonaj u lidh me homologun e saj në Spanjë, do doja të pyesja nëse Manja ca arsyesh ka pasur për t’u interesuar ku ndodhet zemra e shtetasit shqiptar, Saimir Sula.
Në qershor të 2021, autoritetet spanjolle njoftuan se e kishin gjetur zemrën, pse doli tani, ku ishte 1 vit e një muaj? Për një vit e një muaj zemra ndahet nga trupi dhe prishet zinxhiri i kujdestarisë së organeve, deri tani ne detyrohemi të bëjmë autopsi të dytë, pse duhet ta besoj pa provën e ADN dhe nëse ju nuk reagoni, kjo provë nuk do bëhet kurrë, kjo zemër nuk e di kujt i përket, gjejeni ju kujt i përket ajo zemër, jo Saimirit, ose është trafikuar ose është fshehur si prova e vrasjes në dhunë nga 8 truprojat e spitalit, por Zoti Rama dhe që unë të zbardh të vërtetën, më duhet që zinxhiri i drejtësisë të mos hesht, të mos hesht Manja, të mos hesht kryeprokurori dhe t’i përgjigjen kërkesave tona.
Nga kjo letër porosi e Gjonajt është kthyer një përgjigje që ndodhet në ministri ka 8 muaj, pasi Manja hesht dhe nuk ia dërgon spanjollëve se s’kemi përkthyes, hesht dhe muaj kalojnë dhe rasti i arkivua si vdekje natyrale, as ajo zemër në 22 prill nuk i përket Saimirit. Çfarë ka pritur ministri i drejtësisë 11 muaj për të bërë të njëjtën gjë si Etilda Gjonaj. Këtu flitet për trafik organesh, jo për broçkulla, kanë kaluar 2 vite. Zbrisni këtu dhe shpjegojini nënës së Saimir pse zemra e Saimirit nuk është këtu, që të bëni testin e ADN-së”, tha ajo.
Një historik i ngjarjes
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2020, rreth orës 23:00. Pandemia ishte në fazën fillestare. Saimir Sula ka hyrë në spitalin del Mar në Barcelonë, i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Djali kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test Covid-i, i cili doli negativ. Ata e futën brenda, ndërsa motra e tij qëndronte jashtë në pritje të rezultateve. 18 orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t’i thënë se vëllai i saj kishte vdekur. Vdekja e çuditshme u pasua nga një sërë misteresh që familja e viktimës ende nuk i ka sqaruar. E para është se sipas motrës së të ndjerit, kanë tentuar ta djegin trupin në kohë rekord. Majlinda nuk pranoi sepse pa mavijosje në trupin e vëllait të saj dhe kërkoi që kufoma do të transferohej në Shqipëri, vendlindja e saj, ku do të kërkonte një autopsi të dytë. Arkivoli mbërriti në Tiranë dhe u krye testi i dytë. Ekipi që e kreu atë lëshoi një raport duke siguruar se trupi kishte mbërritur pa zemër.
Gjendet zemra, mister kujt i përket
Pak kohë më pas, Majlinda mori një raport nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore të Katalonjës (IMELEC), duke i thënë se tashmë e kishin gjetur zemrën e vëllait të saj. Ky lajm i papritur e bëri atë të dyshonte. Pse një zemër po shfaqej tani nga askund? Kush e kishte nxjerrë dhe pse? A ishte vërtet zemra e humbur e Saimirit? Nisur nga dyshimet dhe të nxitura nga Prokuroria shqiptare, Majlinda kërkoi përmes avokatit të saj, Carlos Sardinero, një test ADN-je, por të gjitha kërkesat janë refuzuar. Për më tepër, çështja është pushuar në dy raste nga Gjykata Hetuese Nr. 16 e Barcelonës, pavarësisht urdhrave shqiptare.
