Heronjtë janë të rrallë në Shqipëri, por ndodh që hero bëhet edhe dikush, që vjen nga një profesion i thjeshtë, i cili me zemrën e madhe dhe me dëshirën për të bërë mirë, humb veten.
I tillë është edhe rasti i Arjan Salës, i cili për të shpëtuar punonjësit e magazinës në një qendërn tregtare në dalje të Tiranës, mbeti vetë i bllokuar mes flakëve që kanë shkrumbuar gjithçka.
Sipas familjarëve dhe punonjësve, Arjani ishte i pari që vrapoi për të nxjerrë jashtë punonjësit e magazinës. Ai u përpoq me sa mundi më pas për të shuar flakët që sa vinin edhe shtoheshin.
Kanë kaluar më shumë se 40 orë dhe ende nuk ka asnjë shenjë jete nga Arjani, por tek të gjithë qytetarët shqiptarë shihet lutja për të gjetur trupin e tij dhe respekti i madh për gjestin që ka bërë.
Mësohet se zjarrfikësit kanë gjetur bombulat me të cilat mendohet që roja-hero ka tentuar të fikë zjarrin.
Ata kanë thyer soletën duke hapur disa vrima për daljen e tymit që ka pushtuar magazinën, por nuk dihet se në cilën pjesë të saj mund të ketë qenë për herë të fundit Arjani.
