Mediat spanjolle shkruajnë se prej muajit gusht ndodhet në burg një person i “rrezikshëm”, Fatbardh Dervishi, i cili u arrestua nën akuzën e vjedhjes së automjeteve, falsifikim dokumentesh, armëmbajtje pa leje, trafik droge e grup kriminal.
Ai ndryshonte vazhdimisht pamjen e tij për të shmangur zbulimin dhe që qarkullonte me identitete të ndryshme false.
Dervishi kishte një grup, të kryesuar nga ai vetë, dhe shkonin të maskuar me veshje policie dhe grabisnin shtëpi që shërbenin si magazina droge.
Ai gjithashtu është akuzuar se më 3 janar 2021 ka plagosur me armë një 23-vjeçare në autostradën Tiranë-Durrës, e identifikuar E. Koroveshi. Që atëherë ai është i shpallur në kërkim.
Pak ditë më vonë ky shtetas u akuzua edhe nga nëna e një të zhdukuri në vitin 2018 në Spanjë. Bëhet fjalë për Tauland Malshin, nëna e të cilit pretendon se Fatbardh Dervishi ka gisht në zhdukjen e tij.